Lajme

Konjufca: Serbia e ka përdorur dinarin për t’i shantazhuar serbët


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se përmes sjelljes së dinarit në Kosovë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ndihmuar nga Lista Serbe i kanë shantazhuar qytetarët serb në katër komunat veriore të vendit.

“Dinari ka qenë instrument të cilin dikush e ka sjell fizikisht prej Beogradit me kombi dhe aty disa zyrtarë të Vuciçit përmes Listës Serbe, kanë ardhur te shtëpia t’i kanë dhënë paret, të kanë këqyrë pak mrrolshëm dhe e kanë kërkuar lojalitetin tënd. Kjo është arsyeja fizike e shpërndarjes së dinarit”, tha Konjufca para gazetarëve.

“Për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që shteti ta rregullojë. Kjo i ndihmon integrimit, sepse e godet pikërisht manipulimin fizik që t’i shkojnë njerëzve në familje më i pyet se me kë janë politikisht”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) këtë të enjte do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku ndër çështjet kryesore që do të trajtohen pritet të jenë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Seanca e Këshillit të Sigurimit mbi rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi pritet të fillojë në orën 15:00 në bazë të kohës lokale në Nju Jork, kurse në orën 21:00 me kohën lokale të Prishtinës. Nuk dihet ende nëse seanca do të jetë e hapur për publikun apo nëse do të ketë konsultime të mbyllura për shkak të shmangies së përplasjeve eventuale për këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet situata në Kosovë, sidomos pas vendimit të Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit në territorin e Kosovës.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Kurti udhëton në SHBA, pritet ballafaqimi me Vuçiç-in në OKB

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore