Kosova

Konjufca i kërkon komunitetit ndërkombëtar të dënojnë agresionin e Serbisë: Po cenohet sovraniteti dhe siguria e Kosovës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka dënuar ashpër “sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia”.

Kjo e fundit, la të vrarë një polic dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë”, theksoi fillimisht kryekuvendari.

Ai i kërkoi fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-ve që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, shtoi Konjufca në reagimin e tij.

Në përmbyllje ai u shpreh se autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore