Lajme

Konjufca dënon dhunën brutale ndaj Sanduloviç-it: Komuniteti ndërkombëtar të reagojë


Glauk Konjufca

“E dënoj në mënyrën më të ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit Nikola Sanduloviç”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Këto komente, Konjufca i ka bërë pas raportimeve se ish-kandidati për president të Serbisë Sanduloviç, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shef i sigurimit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç, është rrahur brutalisht nga shërbimet sekrete serbe në ndërtesën e Agjencisë së Sigurimit dhe Inteligjencës (BIA).

“Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se Sanduloviç, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojiçiç, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjë, akoma nuk është sqaruar”, theksoi ai.

Kreu i kuvendit ka shtuar se përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviç, i cili, siç pohon Konjufca, “sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”.

Ai i ka kërkuar edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt.

“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë Sanduloviç, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, potencoi.

Demokracia, në vlerësimin e Konjufcës, matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht.

“E në këtë kuptim, reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”, përfundoi.

Çedomir Stojkoviç, avokat serb, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se ish-kandidati për president të Serbisë, Nikolla Sanduloviç, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shef i sigurimit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç, është rrahur brutalisht nga shërbimet sekrete serbe në ndërtesën e Agjencisë së Sigurimit dhe Intelegjencës (BIA).

Gjithçka dyshohet se ka ndodhur për shkak të një postimi në “X” dy ditë më parë, ku kreu i Partisë Republikane të Serbisë (RS) kishte rikthyer në fokus vizitën e tij në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke shprehur ngushëllime në emër të popullit serb për vrasjen e 50 anëtarëve të familjes Jashari nga ushtria dhe policia serbe në mars të vitit 1998.

Sanduloviç citohet të ketë thënë se në mesin e personave që kanë ushtruar dhunë, ka arritur ta identifikojë politikanin dhe biznesmenin kontravers serb, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin e armatosur terrorist më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Në bazë informacioneve të fundit nga familja dhe bashkëpunëtorët e afërt, politikani opozitar serb është kthyer në gjendje shumë të keqe nga spitali të enjten pasdite, ku ka qenë duke marrë trajtim mjekësor intensiv. Ai dyshohet se është paralizuar, megjithëse ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore