Lajme

Kongresisti Torres: Kosova histori suksesi dhe aleat i palëkundur i SHBA-ve


Ministrja Donika Gërvalla dhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres.

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se Kosova është histori suksesi në Ballkanin Perëndimor dhe aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Torres, përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka thënë se kanë diskutuar edhe për atë me të cilën është duke u përballur Kosova pas sulmit në Banjë.

“Si kongresmen për Bronksin, ku jetojnë mijëra shqiptarë nga Kosova, pata një takim produktiv me Ministrin e Jashtëm Donika Gërvalla, për agresionin me të cilin po përballet Kosova gjithnjë e më shumë nga Serbia në Veri”.

“Unë qëndroj me Kosovën, e cila është një histori suksesi e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar ai.

Më 25 tetor, Gërvalla, është takuar edhe me Asistenten Speciale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Drejtoreshën e Lartë për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Amanda Sloat.

Ajo ka thënë se kanë diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për agresionin e saj.

Shefja e diplomacisë kosovare, së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në SHBA, ku edhe është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi raportin gjashtë mujor të misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore