Shqipëria

Konfindustria kundër paketës së re fiskale: Dëmton interesat e industrive dhe prodhimit vendas


Konfederata e Industrive të Shqipërisë, ka deklaruar se Paketa Fiskale 2023 e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është jo profesionale dhe e paplotë.

“Si e tillë jo vetëm nuk mbron ekonominë kombëtare, por dëmton rëndë mbi të gjitha interesat e industrive dhe prodhimit vendas, duke favorizuar qartësisht lobet importuese”.

Sipas Konfindustrisë, pothuajse 96% e bizneseve dhe industrive kanë shprehur shqetësim kryesor për aktivitetin e tyre tregtar përkatësisht çmimet e larta të karburanteve dhe energjisë elektrike.

Ndaj, ata bëjnë me dije se do të kërkohet heqja e plotë e “taksës së qarkullimit” të karburanteve me të ardhura vjetore për buxhetin e shtetit afër 160 milionë euro/vit.

“Vlerësohet se, nëse luftohet efektivisht kontrabanda masive në tregun e karburanteve, efektet e drejtpërdrejta buxhetore të heqjes së “taksës së qarkullimit”, jo vetëm do të jenë zero, por do të tejkalohen pozitivisht. Mbështetur në të gjithë krahasimet e zhdoganimeve dhe konsumit të karburanteve me shtetet e Rajonit, jo më pak se 300 milionë euro mund të jenë të ardhura të munguara, që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit”.

Çfarë përmban paketa e re fiskale?

Disa ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi një paketë të re fiskale për t’u zbatuar në vitin 2023.

Ajo ka kërkuar rritjen e penalitetit për tatimpaguesit për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës.

Sipas një drafti – të parë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare – kjo masë vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Deklarimi i punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe deklarimi i pagës reale të tyre, ishte në fokus të planit operacional kundër informalitetit në fillim të këtij viti, për zbatimin e të cilit u ngrit edhe një njësi speciale.

Po ashtu, Ministria ka njoftuar aplikimin e ndryshimeve  ligjore në ligjin e Procedurave Tatimore.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr kompetenca  për të kontrolluar individët e pasur në vend.

Me fjalë më të thjeshta, do të krijohet një databaze me individët e pasur, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal.

Paketa e re Fiskale: Kontroll për individët e pasur dhe dyfish gjobë për fshehjen e pagës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore