Lajme

Komunitetet joshumicë mbështesin procesin e Vettingut


Albin Kurti në takim me komunitetet joshumicë

Pas Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurti, këtë të shtune ka takuar edhe përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkalinj, egjiptian dhe turk, për të njëjtën qëllim – diskutimi rreth procesit të Vettingut në drejtësi.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve joshumicë, kanë shprehur mbështetjen e tyre për procesin e Vettingut dhe reformës në drejtësi.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, ka folur për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët, pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias.

Kurti në takimin ku takoi kryetaren e NDS-së, Emilija Rexhepi, kryetarin e IRDK-së, Elbert Krasniqi, kryetarin e KDTP-së, Fikrim Damka, kryetarin e LPRK-së, Erxhan Galushi dhe kryetarin e PAI-së, Etem Arifi, ishte i shoqëruar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe zëvendësministren e kësaj ministrie, Nita Shalën.

I pari i ekzekutivit ditë më parë pati takuar edhe përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së, të cilët patën konfirmuar mbështetjen e tyre për procesin e Vettingut.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kishte pranuar ftesën e Kurtit për takim, me pretekstin se ata kontributin e tyre në këtë proces do të ofrojnë përmes Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore