Lajme

Komuna e Vushtrrisë me diskutim publik për draft-hartën zonale


Gjatë së mërkurës Komuna e Vushtrrisë ka prezantuar dhe ka vënë në diskutim publik draft Hartën Zonale. Ky dokument është i rëndësisë më të lartë pas Planit Zhvillimor Komunal. Harta Zonale tregon zhvillimin e komunës në detaje.

Ky dokument përmes kushteve, masave mbrojtës dhe infrastrukturës edhe planit të veprimit nga njëra anë tregon dhe nga ana tjetër mundëson zhvillimin e komplet territorit të komunës.

Andaj, prezantimin e këtij dokumente Komuna e Vushtrrisë e ka vu në diskutim publik për të marr komentet lidhur me hartën zonale.

Kjo është faza e parë e diskutimeve publike dhe pas përmbledhjes edhe të komenteve, dokumenti do të dërgohet në ministrinë përkatëse, ku duhet të merret pëlqimi nga ana e tyre. Pastaj dokumenti do t’i nënshtrohet shqyrtimit publik para ratifikimit në Asamblenë Komunale të Vushtrrisë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka falënderuar ekipin dhe Drejtorinë e Urbanizmit për realizimin e draft dokumentit ku është punuar afërsisht tre vite në të.

Tahiri ka thënë se shumica e komunave të tjera sa i përket hartës zonale kanë shpallur tender dhe kanë përzgjedhur kompani për realizimin e atij dokumenti, ndërsa komuna e Vushtrrisë nuk e ka ndjekur një rrugë të tillë.

“Ne kemi hy në një partneritet me UN-Habitatin dhe kemi përfituar një garant prej 160 mijë eurove nga UN-Habitati dhe kemi vendosur edhe 80 mijë euro nga buxheti i Komunës, ku tani kemi mbërri në këtë fazë. Pra, kemi dashtë që në këtë proces të involvohen edhe njerëzit lokal”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se është shumë me rëndësi të definohen saktë zonat e banimit dhe zonat e ruajtjes së zonave të tokave bujqësore, si në qytet po ashtu edhe në fshatra.

“Në 65 fshatrat e Vushtrrisë është definuar cila do të jetë zona e banimit dhe cila është zona e tokave bujqësore. Edhe në qytet e njëjta gjë është bërë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Tahiri ka deklaruar se shumë me rëndësi është të ruhet pjesa historike e qytetit.

“Asnjë vendim dhe asnjë paragjykim nuk e kemi ne si komunë se si duam ta bëjmë qendrën historike dhe aspektet e tjera të zhvillimit urban, pasi që do të jenë shumica e qytetarëve të cilët do të vendosin përmes debatit publik dhe në fund Asamblistët e Kuvendit të Komunës që do të ngritin  dorën”, tha ai.

Sa i përket ruajtjes së pjesë historike të Vushtrrisë kryetari Tahiri ka thënë se është detyrë dhe borxh ndaj gjeneratës së ardhshme.

Ekspertët tutje kanë diskutuar lidhur me hartën zonale dhe janë përgjigjur në pyetjet e qytetarëve të pranishëm në këtë diskutim publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore