Shqipëria

Komiteti i KiE-së miraton rezolutën e propozuar nga Basha për Ukrainën


Komiteti për çështjet ligjore i Këshillit të Evropës ka miratuar rezolutën e propozuar nga Lulzim Basha, për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Kështu, i hapet tanimë rruga Asamblesë së Përgjithshme për vendimin final.

Basha ka thënë se ky është një mesazh për këdo që bën agresion, se do të paguajë kostot financiare të shkatërrimit.

Përdorimin e aseteve ruse për nevoja të Ukrainës e kanë kërkuar edhe pak ditë më parë Presidenti i SHBA-ve Joe Biden, dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Sakaq, në projektrezolutën e propozuar nga Basha thuhet se “përgjegjësia për krimet dhe dëmet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë, është i presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe duhet te paguajë për të”.

Përpos se Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arresti për Putin-in, duke e akuzuar për krime lufte, Rusia duhet të paguajë tani për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga bombardimet ruse.

Federata Ruse – referuar të drejtës ndërkombëtare – ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Rusisë.

Këto detyrime përcaktojnë detyrën e vendeve të treta për të garantuar që asetet sovrane të Federatës Ruse që ndodhen nën juridiksionet e tyre, të vendosen në dobi të Ukrainës, si dhe për të krijuar një tribunal ndërkombëtar kompensimi për të siguruar që dëmet e shkaktuara nga Rusia të dëmshpërblehen në përputhje me normat ndërkombëtare, jurisprudencën dhe parimet e vendosura të kontabilitetit.

Përmes kësaj rezolute kërkohet: Krijimi i një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e Federatës Ruse për të paguar projektet e infrastrukturës në Ukrainë; Transferimin e kapitaleve të ngrira të Federatës Ruse në fondin ndërkombëtar;

Po ashtu krijimi injë tribunali kompensimi për të gjykuar, në përputhje me normat e vendosura gjyqësore, kërkesat e paraqitura nga Ukraina në emër të individëve, subjekteve dhe instancave qeveritare, ose drejtpërdrejt nga individët dhe subjektet e saj, siç do të parashikohet nga rregullat e tribunalit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore