Lajme

Komisoni për Buxhet miraton dy marrëveshje për projektin “efiçienca e energjisë”


Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar dy marrëveshje për marrjen e kredive për realizimin e projektit efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë e Prizren.

Marrëveshja e parë ka të bëjë me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2- Efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë”.

Realizimi i saj pritet të bëhet ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa marrëveshja e dytë ka të bëjë me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi se marrëveshja e kredisë për efiçiencë në komunë e Prishtinës, kap vlerën 5 milionë euro, përderisa 1 milion janë grant.

Murati sqaroi se kredia do të kthehet nga vetë komunat.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

“Ky projekt kap vlerën rreth 6 milionë, 5 milionë është kredi nga BERZh-i, ndërsa 1 milion është grant. Periudha e kthimit parashihet deri në vitin 2032.  Marrë parasysh nevojën për ta pasur këtë projekt, i’u ftoj ta miratoni”.

Ai ka sqaruar se e njëjta vlen edhe për komunën e Prizrenit.

“Ngjashëm si pika paraprakë është projekt i ngjashëm në Prizren. Dallimi i vetëm te datat e kthimit. Kushtet janë të ngjashme. Mënyra se si janë zgjedhur këto dy komuna është për shkak të madhësisë së komunave”.

Ministri, shtoi se për realizimin e një marrëveshje të tillë janë dakorduar me kryetarët e komunave.

“Kredinë ta marrë niveli qendror, ndërsa niveli komunal e paguan kredinë. Kredinë e kthen komuna. E kemi dakordimin nga kryetarët e komunave. Ne kemi marrë procedurat e nevojshme, ata mund të tërhiqen nga kredia”.

Më 11 maj, Qeveria e Kosovës, kishte nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 6 milionë e 315 mijë euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes të cilës synohej investimi në efiçiencën e energjisë së ndërtesave publike.

Ky projekt i cili financohet nga kjo marrëveshje parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 100 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor.

Masat të cilat janë propozuar për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë, sipas njoftimit nga Ministria e Financave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore