Lajme

Kosova marrëveshje me BERZH – 6 milionë euro për energji efiçiente në Prizren


Ministri i Financave, Hekuran Murati në takim me Zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim , Alain Pilloux.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën e 11 majit ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 6 milionë e 315 mijë euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me synim për investime në efiçiencën e energjisë së ndërtesave publike në Prizren.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit nga Ministria e Financave, në të cilin thuhet se Murati ka vlerësuar bashkëpunimin me BERZH-in

“Ministri i Financave, Hekuran Murati, pas nënshkrimit të marrëveshjes ka vlerësuar bashkëpunimin me BERZH-in si partner i rëndësishëm për avancimin e tranzicionit energjetik në Kosovë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftim.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në takim me Zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim , Alain Pilloux.

Ndërsa, zëvendëspresidenti i BERZH-it, Alain Pilloux është shprehur “se për një shtet i cili deri vonë nuk mund ta imagjinonte të ardhmen e energjisë pa linjit, progresi i Kosovës nuk mund të ishte më i madh se kaq”.

Ky projekt i cili financohet nga kjo marrëveshje parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 100 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor.

Masat të cilat janë propozuar për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë, sipas njoftimit nga Ministria e Financave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore