Shqipëria

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë/ Vokshi: Bojkoti i mazhorancës shkelje flagrante e rregullores


Seanca e radhës e Komisionit Hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi ka dështuar.

Kjo pasi deputetët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur me pretendimin se mbledhja është parashikuar pa u konsultuar me ta.

Albana Vokshi, kryetarja e Komisionit, e ka cilësuar shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit, bojkotin në bllok të mazhorancës.

Ajo ka thënë se mazhoranca po përpiqet të bllokojë punimet e komisionit teksa ka bërë me dije se mbledhja e radhës do të zhvillohet të premten në orën 11:00.

“Dua të bëj me dije se mbledhja e sotme është thirrur në bazë të rregullores. Kam diskutuar dhe me nënkryetarin e këtij komisioni,  Plarent Ndreca, që të formulonin një rregullore të posaçme për punën e këtij komisioni, por ata refuzuan duke thënë se duhet të bazohemi në rregulloren e përgjithshme të Kuvendit të Shqipërisë”, ka thënë Vokshi.

Sipas saj, Neni 32, pika 2 e rregullores thotë që mbledhjet e komisionit thirren nga kryetari. “Unë i kam njoftuar dhe mazhoranca është në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit”.

“Pavarësisht se mazhoranca po tenton të pengojë punën në komision në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur trike, hile të paqena, absurde, dua të njoftoj mbledhjen e radhës të premten në orën 11:00.Kam marrë firmat e të gjithë deputetëve të opozitës”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore