Lajme

Komisioni Evropian: Jemi të fokusuar në zgjerim e jo në afate kohore


Ilustrim

Komisioni Evropian nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces.

Kështu të paktën ka deklaruar Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinat, pas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.

“Presidentja [e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen] në mënyrë specifike ka thënë se sa të përkushtuar jemi ne që ta bëjmë të suksesshëm zgjerimin. Gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është prioritet dhe kandidatët duhet të anëtarësohen kur të jenë gati. Kemi punuar për së afërmi me kandidatët për t’i ndihmuar që ata të kryejnë reformat”, tha Spinat.

Ajo shtoi se ky proces duhet të mbetet proces i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e tyre në përmbushjen e kritereve.

Spinat ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë, më 5 tetor 2023.

“Kemi instrumente për t’i ndihmuar kandidatët për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet”, theksoi ajo.

Më 28 gusht, Michel bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

Në Forumin e Bledit në Slloveni morën pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së.

Michel e pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.

Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore