Libra

“Kohë të errëta” – Hannah Arendt dhe rënia e fuqisë së fakteve


Hannah Arend, filozofe politike

Çdo shoqëri ka legjendat e veta të krijimit, që e mbajnë të bashkuar, i japin formë kufijve moralë dhe jetojnë në ëndrrat për të ardhmen.

Megjithatë, që nga revolucioni shkencor dhe iluminizmi, këto narrativa kolektive kanë konkurruar me racionalitetin, pluralizmin dhe përparësinë e së vërtetës si themele të organizimit social.

Kur filozofja e madhe politike, Hannah Arendt, fliste për “kohë të errëta”, ajo nuk iu referohej ekskluzivisht tmerreve të totalitarizmit të shekullit të kaluar.

Eseja e saj “E vërteta dhe politika”, botuar në vitin 1967, trajton të pavërtetat sistematike dhe rrezikut që ato paraqesin për të vërtetën faktike në përgjithësi.

Ndoshta në atë kohë ajo nuk kishte qenë e vetëdijshme se sa të rëndësishme do të ishin mendimet e saj në dekadën e dytë të shekullit njëzet e një, leximi dhe rileximi i Arendt-it ofron një standard kritik për të gjykuar atë që i mungon shoqërisë tonë.

E vërteta faktike, sipas Arendt-it, është gjithmonë në rrezik nga politika, pasi politika nuk merret kryesisht me të vërtetën, por me veprimin.

Në epokën që quhet post-moderne, ndonëse asnjëherë e konstituuar, të vërtetat faktike po kushtëzohen dhe po dobësohen dita ditës duke u zëvendësuar me “faktet alternative”.

“Liria e mendimit është një farsë, përveç nëse garantohet e vërteta dhe faktet mbesin të padiskutueshme”, shkruante ajo.

Fatkeqësisht, një nga teknikat më të suksesshme në mjegullimin e dallimit midis së vërtetës dhe të pavërtetës është të pretendosh se çdo e vërtetë është vetëm një opinion dhe asgjë më shumë (Alexander Dugin, ideologu i Vladimir Putin-it, thotë se “e vërteta është çështje besimi… faktet nuk ekzistojnë”).

“Ajo që duket edhe më shqetësuese është niveli në të cilin të vërtetat faktike tolerohen në vendet e lira, ato shpesh, me vetëdije ose pa vetëdije, shndërrohen në opinione”.

Atë që e kanë bërë regjimet totalitare në të kaluarën, me sukses po e praktikojnë sot politikanë me ndikim të madh në shoqëri.

Duke përdorur teknikat tashmë të njohura të rrjeteve sociale, ku e vërteta faktike po shtrembërohet, ata po krijojë një botë fiktive të “fakteve alternative”.

Arendt alarmonte për një rrezik edhe më të madh si rezultat i zëvendësimit të vazhdueshëm të gënjeshtrave me të vërtetën duke pasur një pasqyrë të kthjellët në atë që ne po përjetojmë.

“…nuk është se gënjeshtra tani do të pranohet si e vërtetë dhe e vërteta do të diskreditohet si gënjeshtër, por se kuptimi me të cilin ne ndërtojmë qëndrimet tona në botën reale – po shkatërrohet”.

Vetë kategoritë e së vërtetës dhe fakteve kundër gënjeshtrës janë në proces të zhdukjes. Rrjedhimisht, mundësitë për të gënjyer bëhen të pakufishme dhe shpesh hasin në pak rezistencë.

Ilustrim

Rreziku më i madh, argumentonte Arendt, vjen kur mashtruesi arrin të besojë gënjeshtrat e tij.

Ajo theksonte se sa e vështirë është të gënjesh vazhdimisht, por pa arritur të besosh në “të vërtetën e gënjeshtrave tua”.

Njerëzit që mendojnë se janë lënë pas dore dhe harruar dëshirojnë një rrëfim, madje edhe një histori të shpikur të trilluar, që do ta kuptojë ankthin që po përjetojnë, një që premton një lloj shpagimi.

Në një situatë të tillë, një udhëheqës me mendësi totalitare ka avantazhe të mëdha duke shfrytëzuar ankthet dhe duke krijuar një trillim që njerëzit duan ta besojnë.

“Ajo që i bind masat nuk janë faktet, madje as fakte të shpikura, por vetëm konsistenca e sistemit, pjesë e të cilit me sa duket janë”, nënvizonte ajo, duke na dhënë një përkufizim të qartë se si funksionon propaganda.

Një shikim i shpejtë i historisë nxjerr në pah se propaganda dhe gënjeshtrat nuk janë diçka e re, e madje edhe zakoni i mohimit të kombeve të tëra dhe krijimi i vendeve false ka origjinë të largët.

Kujto bazën mbi të cilën rusët ia mësynë Ukrainës dhe krijimin e “Republika Srpska” në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe krijimin e shtetit izraelit duke mohuar ekzistencën e palestinezëve në bazë të mitit për Kanaan – tokën e shenjtë.

Argumenti dhe apeli ndaj fakteve kanë pak efekt kundrejt teknikave të tilla bindëse, që të përforcuara nga mediat sociale, depërtojnë në mendjen tonë dhe janë kaq të fuqishme në formësimin e opinioneve dhe besimeve.

Një histori fiktive nga një udhëheqës fiktiv që premton të zgjidhë problemet e njerëzve është shumë më tërheqëse sesa faktet dhe argumentet e arsyeshme.

“Meqenëse gënjeshtari është i lirë të krijojë ‘faktet’ e tij për t’iu përshtatur kënaqësisë dhe pritshmërisë së thjeshtë të audiencës së tij, shanset janë që ai të jetë më bindës se dikush që thotë të vërtetën”.

Arendt na paralajmëron se këto rreziqe ndihmuan në shtrimin e rrugës për suksesin e regjimeve totalitare.

Në mënyrë alarmante me këto rreziqe përballemi edhe sot sepse populistët gjënë e parë që bëjnë është t’ua marrin turmave trurin, pra ta monopolizojnë të vërtetën dhe t’i zhveshin masat nga dyshimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore