Lajme

Koha s’po punon për Kosovën, propozimi franko-gjerman të merret shumë seriozisht


Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Mos-trajtim serioz i propozimit të kornizës së re të dialogut, apo siç po quhet ndryshe draftit franko-gjerman nga ana e Qeverisë së Kosovës, sidomos në një kohë ku dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë të re shumë më dinamike, do të ishte një gabim i madh, sipas bashkëbiseduesve të Albanian Post.

Me 18 shtator Albanian Post publikoi një dokument që përmban kornizën e re franko-gjermane.

Sipas saj, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Për analistin politik, Agon Maliqi, propozimi franko-gjerman, i cili është një dokument katër faqesh që përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”, duhet të diskutohet seriozisht nga ana e Qeverisë së Kosovës, brenda kornizave të përcaktuara, duke kërkuar kështu të nxjerrë maksimumin në favor të saj.

“Qeveria e Kosovës duke diskutuar seriozisht këtë propozim së paku duhet ta sigurojë funksionalitetin e brendshëm dhe zhbllokimin e rrugës drejt NATO-s”, ka thënë Maliqi për Albanian Post.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm, nëse pranohet propozimi franko-gjerman, Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

E sipas Maliqit pranimi i Kosovës nga pesëshja mosnjohëse e unionit do ta zhbllokonte gjendjen e tanishme të izolimit dhe bllokimit, e cila në këtë pikë nuk e favorizon Kosovën.

“Po ashtu, koha në afat të gjatë nuk punon për Kosovën, sepse nëse nuk bëjmë hapa përpara, rrezikojmë të mbetemi të ngujuar si shumë shtete të tjera të pakonsoliduara, me gjithë pasojat ekonomike e sociale që i sjellë ky kontekst. Trendet botërore të sigurisë janë të paparashikueshme, nuk dihet se çfarë do të ndodh me zgjedhjet amerikane, dhe neve në këtë gjendje na bën të brishtë ariktektura e pambyllur e sigurisë në rajon”, ka shtuar ai.

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Për raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, drafti franko-gjerman, është një mundësi e mirë për të dy vendet sidomos për Kosovën dhe se sipas saj vendimmarrësit duhet ta shfrytëzojnë këtë.

Me këtë konstatim pajtohet edhe Abit Hoxha, ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, i cili për Albanin Post thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta marr seriozisht këtë dokument, pasi në horizont nuk ka diçka më të mirë për t’u diskutuar.

“Është mirë të vihet në tryezë e të diskutohet. Rezultati apo finalizimi i këtij drafti varet ekskluzivisht nga negociatorët –  që në këtë rast do të duhet të flasin për detajet dhe të merren vesh”, ka thënë Hoxha për Albanian Post.

Ndryshe nga Maliqi dhe Hoxha, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka shprehur skepticizmin e tij lidhur me çështjen se si BE-ja do të mund t’i garantonte njohjet e pesëshes mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës të Kosovës.

“Kush e garanton njohjen nga 5 vendet e BE-së?” ka pyetur Spahiu duke shtuar se “propozimi franko-gjerman do të kishte deri diku kuptim nëse në dokumentin e nënshkruar nga Kosova e Serbia do të jetë edhe nënshkrimi i pesë vendeve të BE-së që do ta njohin Kosovën”.

Agon Maliqi, Abit Hoxha dhe Nexhmedin Spahiu

Se dialogu Kosovë-Serbi, ka hyrë në një fazë të re, shumë më dinamike tashmë është e qartë.

Këtë dinamizëm, së fundmi, e kanë dëshmuar edhe vizitat e top-diplomatëve perëndimorë, Gabriel Escobar, dhe Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar që pajtimi në mes të Kosovës e Serbisë është e pamundur të ndodhë njëherësh dhe me një marrëveshje të përgjithshme finale, për shkak të qëndrimeve maksimaliste të palëve.

Mu për këtë arsye përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i deleguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua kanë bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Kështu thuhej në skenarin e para-marrëveshjes, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 20 tetor.

Pajtimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij skenari duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën.

Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese.

Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

“Palët do të kenë shumë përfitime, në afat të mesëm dhe të gjatë”, nëse bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar, por po ndodhi e kundërta është treguar “edhe një shkop shumë i ashpër”, për këdo që nuk tregohet konstruktiv në këtë fazë.

Siç e ka thënë edhe Escobar në konferencë për media me Kurtin, “Kosova duhet të kuptojë implikimet rajonale” që vijnë me pozicionimin e tyre.

Prandaj, “zgjedhja është e Kosovës dhe Serbisë” të vendosin se cila do jetë rruga para.

Nëse palët refuzojnë të pajtohen për skenarin përpara dhe refuzojnë fillimin e rrugëtimit konkret drejt fazës së fundit për pajtim final, ndërkombëtarët kanë parashikuar edhe një skenar alternativë, ku do ta merrnin procesin krejtësisht në dorën e tyre.

Në Prishtinë dhe Beograd tashëm u është thënë se duhet ta kenë të qartë që “kjo përpjekje dallon nga dinamika e deritashme e dialogut”.

Fuqitë ndërkombëtare e kanë një referencë se si do të mund ta përshpejtonin arritjen e një pajtimi, duke i larguar liderët dhe ekipet negociatore nga komfort-zona e tyre dhe mbledhur në një vend të gjitha palët, për të dalur me një marrëveshje brenda ditësh.

Siç dihet, Marrëveshja e Dejtonit (1995) ishte arritur pikërisht në këtë formë, kur përkundër se elementet bazike të një pajtimi ishin propozuar vite më parë, me idenë që të parandalohej shpërthimi i luftës, diçka e tillë nuk kishte ndodhur dhe negociatat kishin dështuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore