Lajme

Koha për të menduar perspektivën e ndarjes së veriut, thotë profesori britanik


James Ker-Lindsay

James Ker-Lindsay, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në “London School of Economics”, ka rikujtuar edhe njëherë se disa vite më parë, ishte një opsion tjetër për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, por që ishte refuzuar kategorikisht nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe pushtetit aktual, atëherë opozitë.

Ishte ideja e prezantuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për ripërcaktimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por që në vitin 2018, kur ishte prezantuar, çdokush që e përkrahte përulej si tradhtar i shtetit.

Në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, po përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Beogradi, ndërsa perspektiva e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve po ngrihet herë pas here.

Këtë ide e ka prezantuar sërish profesori Ker-Lindsay, i cili nëpërmjet një videoje të publikuar në kanalin e tij në “Youtube“, pas tensioneve në veri të Kosovës, konsideroi se e vetmja zgjidhje e kontestit mes Prishtinës dhe Beogradit do të ishte ndarja e kësaj pjese të banuar me serbë.

“Ashtu siç shqiptarët e Kosovës nuk e pranuan kurrë sundimin serb, as serbët e Kosovës në veri nuk do ta pranojnë kurrë kontrollin e shqiptarëve. Prandaj, një shkëputje e pastër mund të jetë zgjidhja”, vlerësoi fillimisht profesori britanik.

Ai tha se heqja dorë nga veriu mund të hapë rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje me Serbinë që do ta shihte Kosovën më në fund të merrte vendin që i takon si një anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Në përgjithësi, ideja nuk ka pengesa të dukshme ligjore apo politike. Nuk ka asgjë në të drejtën ndërkombëtare që i pengon dy vende të rregullojnë vullnetarisht kufijtë e tyre”, pohoi Ker-Lindsey, ndërsa përmendi shembullin e Irlandës Veriore dhe Britanisë së Madhe.

“Sa i përket sugjerimeve të dëgjuara shpesh se kjo do të ishte disi jo-evropiane, është e lehtë të harrohet se marrëveshja më e suksesshme e paqes në Evropë në çerek shekullin e kaluar është ‘Good Friday’ në Irlandën e Veriut”, argumentoi ai.

“Si fillim, kjo do të shënonte fundin e çdo pyetjeje për statusin e Kosovës. Marrëveshja për territorin do të bazohej në pranimin nga ana e Serbisë të sovranitetit të Kosovës. Por, përveç kësaj, do të përfitonte Kosova… do ta lironte Kosovën nga detyrimi për të ndryshuar Kushtetutën e saj”, shtoi Ker-Lindsey.

Ndër të tjera, profesori britanik tha që nëse kjo ide bëhet realitet, rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian do të bëhej më e lehtë, ndërsa, sipas tij, do të ishte “hap ekzistencial” drejt kufizimit të përfshirjes ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Për hir të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse që më në fund do ta shohë Kosovën të njohur ndërkombëtarisht dhe do t’i lejojë Serbisë të ecë përpara, ndoshta është koha për të diskutuar këtë ide – veçanërisht pasi shumë në Kosovë e refuzojnë fuqimisht të vetmen alternativë tjetër realiste: autonominë për serbët”.

Energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Mjafton një shkëndijë e vetme – qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga veprime politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga një armë e shkrepur në castin e papërshtatshëm – dhe ajo shpërthen.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga ky episod i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Deri tani, bashkësia e organizuar ndërkombëtare e ka parë të vështirë angazhimin e hershëm me pjesën veriore të Kosovës – një çështje që, e do rasti, kishte mbetur e papërfshirë edhe në propozimin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit, me të cilin erdhi pavarësia.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore