Lajme

Knaus, Escobarit që tha se “Asociacioni është kusht” për anëtarësim në KiE: Kushtet s’vendosen nga një vend që s’është anëtar


Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet

Pas deklarimit të dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se SHBA-ja nuk është anëtare dhe kushtet për anëtarësim në KiE nuk vendosen nga një vend që nuk është anëtar.

“Kushtet nuk do të vendosen nga një vend që nuk është anëtar i Këshillit të Evropës. SHBA-ja nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ka dënimin me vdekje – nuk i plotëson kushtet”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Këshilli i Evropës është një institucion i pavarur, i ka tashmë 46 anëtarë dhe i ka standardet e qarta dhe parlamentarët nuk do të ndikohen nga kushtet që nuk janë të lidhura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për Knaus, e rëndësishme për Kosovën tani është që të tregojë se ajo është e vendosur që t’i përmirësojë edhe më të drejtat e njeriut.

“Këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është që të mendojë se çfarë mund të bëjë kur bëhet fjalë për çështjet e mosdiskriminimit, barazisë gjinore, të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e pakicave – qofshin romë apo serbë – sundimin e ligjit”.

“Për të gjitha këto, do të ishte mirë që Kosova ta bëjë të qartë se çfarë ka arritur deri më tash dhe çfarë synon të bëjë. Por, nuk duhet të ketë kushte të vendosura nga jashtë”.

Ai ka potencuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit u hap derën hapave të ardhshëm dhe, pastaj, çdo gjë do të varet nga qeveritë, në maj.

“Për këtë, ne dhe Kosova duhet të kërkojmë mbështetje. E dimë se ka skepticizëm, por me rekomandime të fuqishme dhe me deklarata të fuqishme nga Asambleja Parlamentare dhe nga politikanë në të gjithë Evropën, se kushtet duhet të jenë të lidhura vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, e jo me gjëra të tjera, si për shembull dialogu me Serbinë”, shtoi.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur urdhëroi Agjencinë Kadastrale që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, pra bartjen e 24 hektarëve tokë këtij objekti fetar, tha javën e kaluar se këtë po e bën për shkak të anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës.

Mirëpo për t’u anëtarësuar Kosova në këtë organizëm ndërkombëtar duhet që t’i plotësojë edhe dy kushte të tjera, ndër të cilat themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të paktën kështu ka deklaruar i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”.

“Neve ende na duhet Asociacioni, ai është kyç. Dhe, kur të flasim për zgjerim, do t’ju shpjegoj pse Asociacioni është kaq i rëndësishëm”, kishte theksuar Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore