Shqipëria

KLP dhe IDM/ Nis zbatimi i projektit për rritjen e besimit të qytetarëve


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka mirëpritur në një takim përfaqësues të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe ambasadoren e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad.

Ky takim, i cili u financua nga Ambasada suedeze në Shqipëri dhe u zhvillua të mërkurën e 9 shkurtit në ambientet e KLP-së, përkon me nisjen e zbatimit të projektit “T’i shërbejmë demokracisë dhe qytetarëve përmes përmirësimit të integritetit publik”.

Projekti ka si qëllim rritjen e besimit të publikut te puna e Këshillit. Kjo do të arrihet përmes forcimit të garancisë për integritet.

Drejtuesi ekzekutiv i IDM-së, Sotiraq Hroni, dhe Nadia Rusi shtjelluan hapat për zbatimin e tij.

“Integriteti është pikënisja e një detyre, por në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe destinacioni i saj. Përmes mekanizmave që e promovojnë atë, ne kemi mundësinë të projektojmë sigurinë e publikut që puna jonë e përditshme garanton integritet”, u shpreh në fjalën e tij mikpritëse, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ibrahimi.

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad, theksoi se, përmes integritetit, do të mund të ruajmë dhe promovojmë vlerat e demokracisë.

“Duke përmirësuar integritetin, ju do të ndërmerrni veprime konkrete dhe do të rrisni besimin tek publiku. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se forcimi i institucioneve, shpesh herë kërkon një kohë të gjatë, ndaj mos e merrni të mirëqenë demokracinë! Llogaridhënia është çelësi dhe objektivi final”, tha Hastad.

Kjo e fundit përmendi dhe një herë mbështetjen e Ambasadës suedeze në konsolidimin e institucioneve në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore