Lajme

Kishës katolike gjermane i largohen mbi 500 mijë anëtarë brenda një viti


Në Gjermani, Kisha Katolike ka zbuluar se po humbet ndjekësit si kurrë më parë.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz vendosën të heqin dorë nga anëtarësimi vitin e kaluar.

Sipas Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë me bazë në Bon, 522 mijë e 821 njerëz u larguan nga kisha në vitin 2022, një numër shumë më i madh se parashikimet e bëra nga vetë institucioni dhe më i lartë nga sa kishin pritur shumica e vëzhguesve.

Viti i mëparshëm rekord për largime ishte në vitin 2021, kur u larguan pak më pak se 360 mijë njerëz.

Kisha ka 21 milionë anëtarë, sipas shifrave të vitit 2022, që arrijnë në 24.8 për qind të popullsisë.

Shpejtësia e largimeve, e nxitur nga një sërë skandalesh abuzimi me fëmijët dhe akuzat për një mbulim të gjerë, ka tronditur klerikët.

Sipas provave të mbledhura nga autoritetet, duket se është përshpejtuar më tej që nga publikimi i një raporti eksperti mbi abuzimin në kryepeshkopatë e Mynihut dhe Freising, dhe diskutimi rreth përfshirjes së perceptuar në skandalin e Papa Benediktit XVI, i cili ka vdekur.

Vitin e kaluar pati beteja ligjore mbi pagesat kompensuese për viktimat e abuzimit në Këln dhe Traunstein, si dhe akuza se kardinali Rainer Maria Woelki, gënjeu për atë që kishte ditur për rastet e abuzimit.

Woelki, i cili ishte në qendër të bastisjeve të policisë këtë javë në pronat e lidhura me kishën, duke përfshirë rezidencën e tij, mohon pretendimet.

Kisha protestante, e cila gjithashtu është përfshirë nga skandalet e abuzimit, në mënyrë të ngjashme ka humbur anëtarë me një shkallë alarmante, me 380 mijë njerëz që janë larguar në vitin 2022.

Sipas shifrave të vitit të kaluar, ajo ka 19.5 milionë anëtarë në Gjermani.

Largimet nënkuptojnë një humbje të konsiderueshme të të ardhurave për kishën.

Të gjithë gjermanët që deklarojnë një përkatësi me besimet protestante, katolike dhe hebraike janë të regjistruar zyrtarisht si të tillë në autoritetet e tyre lokale.

Ata janë të detyruar të paguajnë Kirchensteuer ose Kultursteuer (taksë kishtare ose taksë kulturore), e cila është midis 8 për qind dhe 9 për qind e tatimit mbi të ardhurat e një personi dhe merret nga të ardhurat e tyre mujore nga zyra e taksave, e cila e kalon atë tek organi përkatës.

Dhe ata që dëshirojnë të largohen duhet të heqin dorë zyrtarisht nga anëtarësimi i tyre, një proces i njohur si Kirchenaustritt, ose tërheqje nga kisha, duke vizituar në mënyrë aktive zyrën e regjistrit lokal dhe duke paguar një tarifë administrative prej 30 euro.

Taksa e kishës u përfshi për herë të parë në ligjin gjerman në vitin 1919 dhe u riafirmua në Reichskoncordat midis Gjermanisë naziste dhe Vatikanit në vitin 1933. Ajo u riafirmua përsëri në ligj në vitin 1949.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore