Lajme

Kirurgu në Suedi dënohet për lëndim trupor gjatë transplantit të trakesë sintetike


Një gjykatë suedeze ka shpallur fajtor një kirurg italian për shkaktimin e lëndimeve trupore ndaj një pacienti, por e liroi atë nga akuzat për sulm.

Paolo Maçhiarini fitoi lëvdata në vitin 2011 pasi pretendoi se kishte kryer transplantin e parë sintetik të trakesë në botë duke përdorur qeliza staminale, ndërsa ishte kirurg në spitalin universitar Karolinska të Stokholmit. Procedura eksperimentale u përshëndet si një përparim në mjekësinë rigjeneruese.

Së shpejti u shfaqën pretendimet se procedura ishte kryer mbi të paktën një person që nuk kishte qenë i sëmurë rëndë në kohën e operacionit.

Gjatë gjyqit të majit, të mbajtur në gjykatën e qarkut të Solna-s, prokurorët argumentuan se operacionet në tre pacientë në Suedi përbënin sulm ose lëndim trupor për shkak të neglizhencës, pasi Maçhiarini shpërfilli “shkencën dhe përvojën e provuar”.

Gjykata e rrethit ra dakord me prokurorët, por e liroi Maçhiarinin për dy akuza pasi shëndeti i pacientëve ishte në një gjendje jo të rëndë.

“Duke pasur parasysh gjendjen e pacientëve, gjykata e qarkut konstaton se procedurat për dy pacientët e parë ishin të justifikueshme”, thuhet në një deklaratë.

Por, në rastin e pacientit të tretë, gjykata e shpalli fajtor për “shkaktim të lëndimit trupor”.

“Në momentin e procedurës së pacientit të tretë, përvoja nga procedurat e para ishte e tillë që kirurgu duhet të mos lejonte një pacient tjetër të kalonte operacionin”.

Maçhiarini iu shqiptua një dënim me kusht, që në Suedi do të thotë se nëse ai do të kryente një krim tjetër gjatë një periudhe prove dyvjeçare, gjykata do të rivlerësonte dënimin e tij.

Së bashku me kolegët e tij, Maçhiarini, 63 vjeç, kreu gjithsej tetë transplantime të tilla midis 2011 dhe 2014 – tre në Suedi në 2011-2012 dhe pesë në Rusi.

Tre pacientët në Suedi vdiqën, megjithëse vdekjet nuk kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me operacionet. Katër nga pesë pacientët rusë kanë vdekur gjithashtu, sipas raporteve të mediave suedeze.

Vetë Maçhiarini këmbënguli në gjykatë se transplantet ishin një alternativë e vendosur pasi të gjitha opsionet e tjera ishin përjashtuar, atë që ai e quajti si “plan B”.

Avokati i tij, Bjorn Hurtig, ndërkohë, këmbënguli se operacionet ishin rezultat i “punës në grup” dhe ishin diskutuar me kolegë të tjerë të vjetër.

Pas vendimit të së enjtes, Hurtig tha se ndërsa klienti i tij kishte shpresuar të lirohej nga të gjitha akuzat, gjykata e kishte liruar atë për “pjesë të rëndësishme”. “Ne fituam shumicën e rastit”, tha ai për AFP.

Kryeprokurori, Jim Westerberg, tha se ekipi i tij nuk e kishte pritur vendimin. Ai tha se ishte “një surprizë për ne” që gjykata mbështetej shumë në nocionin se kushtet e rënda shëndetësore të pacientëve justifikonin masa drastike.

Maçhiarini ishte gjithashtu i punësuar nga institucioni kërkimor i Institutit Karolinska të Suedisë, i cili jep çmimin Nobel në mjekësi. Një rishikim i jashtëm në 2015 e gjeti Maçhiarinin fajtor për sjellje të pahijshme kërkimore.

Edhe pse instituti e shkarkoi atë në vitin 2016, ai e mbrojti atë vazhdimisht deri në vitin 2018, kur rishikimi i tij e shpalli atë dhe disa studiues të tjerë fajtorë për sjellje të pahijshme shkencore. Drejtori i universitetit dhe disa të tjerë dhanë dorëheqjen për shkak të skandalit.

Në vitin 2018, revista mjekësore Lancet tërhoqi dy punime nga Maçhiarini.

Në vitin 2013, spitali Karolinska pezulloi të gjitha transplantet e trakesë dhe refuzoi të zgjaste kontratën e Maçhiarinit si kirurg.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore