Lajme

Kina sanksionon 9 shtetas të Mbretërisë së Bashkuar


Sanksione për nëntë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar. Këto masa ka ndërmarrë Kina, të premten e 26 marsit, pas përhapjes së asaj që i quajti “gënjeshtra dhe dezinformim” për vendin.

Kjo vjen si hakmarrje pas masave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, të hënën e 22 marsit, në lidhje me abuzimet e të drejtave të njeriut kundër grupit të pakicës myslimane ujgure. Një ndër kritikët më të zëshëm të Kinës në Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari i Jashtëm i Kinës tha se “Pekini i kundërshton me besueshmëri pretendimet që duhet të lejojnë hyrjen e Kombeve të Bashkuara në Xinjiang”.

Në shënjestër të Kinës janë edhe ish-udhëheqësi konservator, George Iain Duncan Smith, dy kolegë, një avokat dhe një akademik.

George u shpreh se sanksionet u vendosën “si një simbol nderi”.

Po ashtu Kina ka vendosur sanksione të ngjashme ndaj Bashkimit Evropian (BE). Ky i fundit ishte pjesë e veprimit të bashkërenduar të hënën, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Kanadaja.

Kina i ka ndaluar ujgurët në kampe, në rajonin veriperëndimor të Xinjiang-ut. Grupi mysliman hedh akuza për tortura, punë të detyruar dhe abuzim seksual.

Nga ana e saj, Kina, i ka mohuar të gjitha akuzat, me pretendimin se kampet janë “objekte riedukimi”, për të luftuar terrorizmin.

Personat e ndëshkuar

Nëntë të sanksionuarit u ndalohet të hyjnë në Kinë, Hong Kong dhe Makau. Prona e tyre në Kinë do të jetë e ngrirë. Gjithashtu qytetarëve dhe institucioneve kineze do t’u ndalohet të bëjnë biznes me ta.

Deputetët Iain Duncan Smith, Nusrat Ghani, Tim Loughton, Helana Kennedy dhe David Alton (anëtarë të Aleancës Ndër-Parlamentare për Kinën); deputetët Tory Tom Tugendhat dhe Neil O’Brien (drejtojnë Grupin Kërkimor të Kinës), janë të ndëshkuarit.

Gjithashtu edhe avokati Geoffrey Nice, kryetari i Tribunalit Ujgur, i cili heton mizoritë kundër grupit të pakicave dhe akademiku i Universitetit të Neëcastle, Jo Smith Finley, kërkimi i të cilit përqendrohet tek ujgurët.

Ish-konservatori George tha se “është detyra jonë të paraqesim abuzimet e të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe gjenocidin ndaj popullit ujgur nga qeveria kineze”.

Për mediat angleze, Ghani tha se ajo nuk do të trembet. “Tanimë jam edhe me e vendosur të flas për ujgurët”.

Finley shkroi në median sociale, Twitter, se “nuk pendohem që kam folur dhe nuk do të hesht  për abuzimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, tha se, “nëse Pekini dëshiron të kundërshtojë me besueshmëri pretendimet e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Xinjiang, duhet t’i lejojë Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut hyrjen e plotë për të verifikuar të vërtetën”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze tha se vendimi i Mbretërisë se Bashkuar për të vendosur sanksione “shkel flagrant ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërhyn në mënyrë të ashpër në punët e brendshme të Kinës dhe minon rëndë marrëdhëniet Kinë-Mbretëri”.

Kjo hakmarrje nga qeveria kineze nuk ishte e papritur, sipas Raab-it.

Kohë më parë, Britania e Madhe u ka vendosur sanksione zyrtarëve kinezë. Sipas kritikëve, pritej kjo përgjigje nga Pekini. Po ashtu BE-ja, SHBA-ja dhe Kanadaja kanë vendosur sanksione ndaj disa zyrtarëve kinezë.

Marrëdhënia Kinë-Mbretëri e Bashkuar

Sanksione e ndërsjella do të dobësojnë marrëdhënien mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës, duke e çuar situatën drejt përkeqësimit.

Kjo ndodh në një moment, kur qeveria po përpiqet të vendosë një ekuilibër në marrëdhëniet e saj me Pekinin.

Në rishikimin e saj të fundit të politikës së jashtme, Mbretëria e përshkroi Kinën si një “konkurrent sistemik” dhe “kërcënim i madh për sigurinë ekonomike të vendit”.

Katër grupe u sanksionuan gjithashtu: Grupi i Kërkimeve Kineze, Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Partisë Konservatore, Tribunali Uighur dhe Dhomat e Gjykatës Essex.

Avokatët e vjetër në Dhomat e Gjykatës Essex arritën në përfundimin se ekzistonte një “çështje shumë e besueshme” që qeveria kineze po kryente gjenocid ndaj ujgurëve.

Pasi sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar u njoftuan të hënën, Raab e quajti abuzimin e myslimanëve ujgurë në Xinjiang si “një nga krizat më të thella të të drejtave të njeriut në kohën tonë”.

Ujgurët e Kinës

Më shumë se 1 milion ujgurë dhe pakica të tjera janë arrestuar në kampe në Xinjiang.

Ai shtrihet në veriperëndim të Kinës dhe është rajoni më i madh i vendit.

Ashtu si Tibeti, është autonom, çka në teori do të thotë se ai ka disa kompetenca të vetëqeverisjes. Por në praktikë, të dy përballen me kufizime të mëdha nga qeveria qendrore.

Ujgurët, që jetojnë në rajon, flasin gjuhën e tyre, të ngjashme me turqishten. Ata e shohin veten si të afërt nga pikëpamja kulturore dhe etnike me kombet e Azisë Qendrore.

Qeveria kineze është akuzuar për kryerjen e sterilizimeve të detyruara ndaj grave ujgure dhe ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre.

Vendi fillimisht mohoi ekzistencën e kampeve, përpara se t’i mbronte si një masë e nevojshme kundër terrorizmit. Kina i ka mohuar përherë akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore