Shqipëria

Yuri Kim: Të reformohet sistemi i drejtësisë


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shqipëri, Yuri Kim, të martën e 23 marsit, në televizionin ABC News Albania, ka deklaruar se, “sistemi i drejtësisë ka nevojë të reformohet”.

Ambasadorja ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për pranimin e kandidatit Tom Doshi, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Në këtë rast ai nuk është skualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm. Por thjesht do të thotë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë të reformohet”, ka thënë ajo.

Drejtuar KQZ-së, Yuri Kim kërkon “të shqyrtohen të gjitha rekordet e kandidatëve, në mënyrë që të kualifikohen”.

Sipas saj, është Sekretari i Shteteve të Bashkuara, i cili “e ka përcaktuar personalisht një individ, që nuk ka zgjedhur të vazhdojë përfaqësimin e popullit shqiptar në Kuvend”, shprehet Kim, duke bërë të qartë qëndrimin dhe mesazhin e SHBA-së në këtë periudhë zgjedhjesh.

Optimiste per të sjellë investime të mëdha në Shkodër, që sipas saj, përkthehen në vende të reja pune, aftësi të reja pune dhe ide të reja, Kim shprehet se “e ka të vështirë” të ndihmojë shqiptarët.

“Nëse ky është vendi që vendos një person, i cili është i përcaktuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, për çështje madhore korrupsioni, në Shkodër, kjo e bën vërtetë punën time të vështirë dhe e bën akoma më të vështirë tju ndihmoj”, ka thënë ambsadorja.

“A ia vlen te shitet vota për një Iphone?”

Pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, Yuri Kim ka komentuar dhe çështjen e shit-blerjes së votës në Shqipëri.

“Ajo që dëgjoj këtu është blerja e votave dhe mendoj që votuesit shqiptarë duhet të vendosin: A është krenaria ime, dinjiteti im, e ardhmja e fëmijëve të mi? A ia vlen që të marr një celular IPHONE ta përdor, a ja vlen për 100 euro? A ia vlen kjo gjë për ofendimin që dikush mund të të thotë se, mund të të blejë votën tënde? Mund të blejë jetën tënde?” ka thënë ambasadorja.

Gjatë intervistës, Kim iu ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike, të mos nxisin dhunë ndërmjet qytetarëve.

“Udhëheqësit nuk duhet të nxisin njerëzit që të marrin armët, apo të mund të përfshihen në vepra të dhunshme. Kjo është përgjegjësi e tyre”, shprehet Kim.

Takime në Elbasan dhe Shkodër

Ambasadorja Yuri Kim, ka zhvilluar të marten e 23 marsit, një vizitë në Shkodër, ku është takuar me drejtuesit politik të këtij qarku.

Gjatë qëndrimit të saj, Kim është takuar me Edona Bilalin, e cila kryeson listen e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste (PS), si dhe me drejtuesin e Partisë Demokratike (PD), Helidon Bushati.

Me 10 mars, pasi partitë politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë pranë KQZ-së, ambasadorja ka vizituar Elbasanin. Nga ku ka deklaruar se, “do t’u kërkohet llogari udhëheqësve të partive politike, për listat e kandidatëve”.

Ajo ka takuar drejtues politike të PS-së, Taulant Balla dhe të PD-së, Gazment Bardhi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore