Lajme

KiE-ja nuk “zyrtarizon” shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së Kosovës


Byroja e Këshillit të Evropës në mbledhjen e së mërkurës nuk ka propozuar që në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të përfshihet kërkesa e Kosovës për pranim në këtë organizatë, sipas transmetuesit publik serb “RTS”.

Por, drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE, Dushan Vojnoviç nuk e zyrtarizoi një fakt të tillë për Albanian Post.

“Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj për faktin se puna dhe diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”.

Kujtojmë që Komiteti i Ministrave në KiE mblidhet të enjten dhe pika e parë do të jetë miratimi i rendit të ditës.

Formalisht, ka mundësi që të futet në procedurë edhe kërkesa e Prishtinës zyrtare, por kjo nuk ka gjasa, pasi Byroja nuk e ka rekomanduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur më herët shpresën se vendi i tij do të mund të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës deri në fund të vitit 2022.

Qeveria e Kosovës aplikoi më 12 maj për anëtarësim në Këshillin e Evropës përmes kryediplomates Donika Gërvalla – por ende nuk dihet data se kur do të diskutohet për këtë kërkesë në KiE.

“Ende nuk është caktuar një datë për diskutimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim”, konfirmonte sërish Vojnoviç për Albanian Post.

Ndërtimi i situatës

Më herët, qeveria e Kosovës miratoi në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”.

Vendimi i miratuar urdhëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillonte të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Gjatë ditës, lidhur me anëtarësimin në KiE, është prononcuar edhe lideri i vetëm institucional, i cili aktualisht gjendet në Kosovë, Glauk Konjufca.

“Kemi edhe një delegacion që është atje, i cili është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit, i cili merr pjesë vazhdimisht në asamblenë e KiE”, u shpreh Konjufca, kur u pyet për votat.

Sipas kryeparlamentarit, është bërë punë e madhe prej të paktën një viti.

Në vijim, Konjufca theksoi se për të arritur anëtarësimin duhet të ketë “bashkëpunim edhe me partitë opozitare”.

Kosovës mbështetje i pati dhënë edhe Gjermania dhe Britania e Madhe, ndërsa Franca ka thënë se nuk përkrah vendime të njëanshme për shkak se “mund të çojnë në tensionime”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde të premten e 13 majit ka shprehur mbështetjen për procesin dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në anën tjetër, Ambasada e Francës në Kosovës, përmes një komunikate ka deklaruar se i takon Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por ka kërkuar “përmbajtje nga veprimet e njëanshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore