Lajme

Kica-Xhelili e LDK-së thotë se Thaçi i LVV-së “s’duhet të shkelë më kurrë” në Kuvendin e Kosovës


Doarsa Kica-Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, reagoi nëpërmjet një postimi të “Facebook” për gjuhën e papërshtatshme të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Halil Thaçi, i cili në komisionin hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, tha se deputetët e LDK-së “viktimizohen” me vrasjet politike të pasluftës vetëm në kohë zgjedhjesh.

“Çfarë paturpësie është kjo?! Një njeri si ai nuk do të duhej të shkelte më KURRË në Kuvend të Republikës së Kosovës”, shkroi deputetja e LDK-së, duke përmendur dështimin e LVV-së për t’u marrë me zbardhjen e rrethanave misterioze në rastin e aktivistit kosovar, Astrit Dehari, i cili vdiq në burg në rrethana ende të paqarta para më shumë se shtatë vjetësh.

“Një njeri si AI që nuk voton as për hetimin parlamentar të rastit të Deharit, na moralizon drejtësi? Anëtarët e VV nuk duan ta kuptojmë hajninë në miell e vaj. Pikë. Prandaj merren me mua. Unë jam PRETEKSTI i tyre që ata të mos merren me temë. Ataku ndaj meje i duket këtyre i LEHTË, sepse ATAKUN qe ata ja bëjnë shtetit e drejtësisë NUK KAPËRDIHET”, shtoi ajo.

“Por ATAKU elektoral ndaj tyre do të jetë akoma më i vështirë për t’u kapërdirë”, u shpreh tutje Kica-Xhelili, duke parashikuar humbjen e përkrahjes popullore për LVV-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që mund të mbahen në mes të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore