Lajme

Kica: Faturat tre shifrore të rrymës janë përtej çdo normaliteti – tash pushteti fajëson LDK dhe Kushtetuesen


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar pas pranimit të faturave të energjisë elektrike nga qytetarët, duke thënë se janë përtej çdo normaliteti.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ajo ka thënë se Qeveria duhet ta fajësoj edhe për këto çmime Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Faturat TRE SHIFRORE të rrymës që po m’i dërgojnë qytetarët janë PËRTEJ çdo normaliteti. Me siguri, sipas Qeverisë, dhe për këtë ka faj LDK dhe Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar ajo.

Paralajmërimet e rritjes së energjisë elektrike kishin ngjallur shqetësimin për një krizë të re në Kosovë.

Pos rritjes së çmimeve në të gjitha produktet, rritjen e tatimit, tani ka rritje të serishme të energjisë.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Nga muaji shtator i vitit 2022, Qeveria e Kosovës, i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, kishte thënë se nga këto subvencione, kanë përfituar mbi 200 mijë familje.

Kurse nga ekzekutivi ishte bërë thirrje që nga viti 2022 ndaj qytetarëve që ta kursejnë rrymën, për shkak të krizës globale energjetike, të cilën e ka thelluar lufta e Rusisë në Ukrainë.

Teksa nuk kanë ofruar asnjë garanci se do të ketë furnizim të rregullt me rrymë gjatë dimrit, kur nevoja për ngrohje rritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore