Lajme

KFOR-i dhe FSK inspektuan termocentralin “Kosova B” për materialet industriale toksike


Një nga pjestarët e stafit inspektues

Një ekip e veçantë e KFOT-it në Kosovë kryen një inspektim në termocentralin “Kosova B” për materialet industriale toksike.

Sipas një njoftimi për medie të KFOR-it thuhet se inspektimi u bë nga ekipi Radiologjik Kimik Biologjik dhe Bërthamor (CBRN) i Komandës Rajonale Perëndimore të misionit të KFOR-it (RC-WEST) në bashkëpunim me ekipin CBRN të FSK-së dhe me praninë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent dhe Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Në komunikatë nuk jepen detaje për ditën e inspektimit, por thuhet se “këtë javë”, u krye inspektimi në Kosova B si një nga termocentralet e cila furnizon 70-80% të nevojave të vendit me energji elektrike.

“Stafi i Regjimentit të 7-të të Mbrojtjes të Kremonës CBRN, me qendër në kampin Villaggio Italia në Belo Polje, kryen çdo vit njëzet e gjashtë inspektime të planifikuara TIM (Materiali Industrial Toksik)”, thuhet në komunikatën për medie.

“Gjatë të cilave, nëpërmjet analizave instrumentale, zbulon, identifikon dhe monitoron kimikatet e pranishme në industri dhe kontrollon ruajtjen e tyre (duke u siguruar që ato janë në përputhje me rregullat e sigurisë), vulosjen dhe etiketimin e saktë”.

Inspektimi gjithashtu bën të mundur identifikimin, dhe matjen e intensitetit të dozës gama të burimeve të pranishme në vendet industriale, duke kontrolluar respektimin e rregullave të sigurisë edhe në këtë sektor.

Materialet industriale toksike (TIM) janë kimikate industriale të prodhuara, të ruajtura, të transportuara dhe të përdorura në të gjithë botën: ato janë përgjithësisht substanca toksike ose radioaktive në formë të ngurtë, të lëngët, të aerosolizuar, shpjegon njoftimi për shtyp, ekspozimi i të cilave mund të rrjedhë nga lëshimet aksidentale, rrjedhjet, shpërthime, lëshime të qëllimshme, sulme pranë lëshimit të kimikateve të depozituara ose pajisjeve shpërthyese të improvizuara (IED) në objektet e prodhimit industrial, impiantet e trajtimit të ujit, objektet e depozitimit të mbetjeve, laboratorët e kërkimit dhe zhvillimit, si dhe nga çlirimet që vijnë nga fatkeqësitë natyrore.

“KFOR-i, në përputhje të plotë me mandatin e tij që del nga rezoluta 1244 e OKB-së e vitit ’99, mbetet i kujdesshëm për të ruajtur një mjedis të sigurt në këtë zonë për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për të mbështetur zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës nën mandatin e tij fillestar”, përfundon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore