Lajme

Kearns: Kosova ia vlen të mbrohet, të qëndrojmë pranë partnerëve tanë


Kryetarja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Kosova ia vlen të mbrohet”.

“Ne duhet të qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe ishte shumë produktiv takimi me kryeministrin Albin Kurti këtë mëngjes për të diskutuar si të de-përshkallëzohen tensionet”, shkroi ajo në Twitter.

Po ashtu sipas saj, kanë diskutuar edhe për kthimin e policëve të rrëmbyer kosovarë, mbështetjen për komunitetin serb të Kosovës dhe për mbështetjen që Beogradi i dha milicisë në Veri.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se me deputeten britanike ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Po ashtu Kurti është takuar këtë të hënë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe (Sekretari i Jashtëm), James Cleverly, gjatë qëndrimit të tij në Londër.

Sipas njoftimit për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, në takim është diskutuar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës ku ministri britanik i ka thënë Kurtit se tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat e Kosovës për gjatë viteve.

“Ministri i jashtëm theksoi nevojën për Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa për de-eskalim që të reduktohen tensionet, duke përfshirë edhe sigurimin e ambienteve alternative për kryetarët në veri, largimin e njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe bërja e hapave përpara drejt zgjedhjeve të reja përfshirëse”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Cleverly ka theksuar se Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi që të veprojnë menjëherë për të de-eskaluar tensionet dhe të shmangin hapa tensionues në të ardhmen, apo të kenë retorikë të tillë.

MPJ i Britanisë së Madhe, Kurtit: Tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat e Kosovës – bëni hapa për shmangie të tensioneve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore