Lajme

Kearns: Gabim të dënohet Kosova, ndërsa të mos ketë pasoja për veprimet autokratike të Serbisë


Alica Kearns

Deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në parlamentin e Britanisë së Madhe, Alica Kearns, ka vazhduar kritikat e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për qasjen e tyre ndaj Kosovës, pas situatës së krijuar në Veri, pasi që ajo thotë se nuk ka ekuilibër në trajtimin e palëve, duke shtuar se Kosova është partner demokratik, për dallim nga Serbia që po bëhet çdo ditë e më shumë një vend autokratik.

“Shqetësimi im bazohet në ekuilibrin dhe mënyrën se si, veçanërisht SHBA dhe BE po reagojnë ndaj tensioneve në Kosovë. Realisht nëse kthehemi tek ajo që ka shkaktuar krizën, është vendimi i Serbisë për të ndërhyrë nga jashtë në zgjedhjet e brendshme në Kosovë. Kjo është në thelb ajo çka ka shkaktuar konfliktin që po e shohim”, tha fillimisht ajo në një intervistë për “EuronewsAlbania”.

“Shqetësimi im është se të gjithë ne po dëshirojmë që të shohim qetësim të situatës, por në vend të kësaj, kemi parë që partneri ynë (Kosova) demokratik është denigruar, ndërsa një vend gjithnjë e më autokratik (Serbia) është mbështetur dhe nuk ka pasur pasoja, pavarësisht se kanë kidnapuar në mënyrë arbitrare tre policë të Kosovës”.

Ndërkaq, ajo thekson se mungesa e vullnetit nga “për ta quajtur arrestim arbitrar, apo të paligjshëm, të pranojnë se ka ndodhur një rrëmbim, është e pafalshme”, duke shtuar se nëse Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender 23” – si masë për mos zbatimin e kërkesave të ndërkombëtarëve për deeskalimin e situatës në Veri – nga njëra anë, dhe stërvitja që po bëhet nga ShBA-ja me Serbinë (Platinium Wolf), sipas saj “tregon mungesë ekuilibri”.

“Nëse thonë se Kosova meriton të përjashtohet nga një stërvitje ushtarake, sepse kryetarët e komunave po ushtrojnë detyrën, atëherë me patjetër rrëmbimi dhe arrestimi i paligjshëm i tre policëve kosovarë duhet të rezultonte në moslejimin e pjesëmarrjes së Serbisë në stërvitjen ushtarake”, beson ajo.

Për të gjithë këtë situatë të krijuar, deputetja britanike potencon se “është një dështim i diplomacisë së parandalimit, dhe ajo çka kemi parë gjatë dy dekadave të fundit është një dështim i vazhdueshëm për të kundërshtuar ata që pranojnë autokracinë dhe që nuk angazhohen domosdoshmërisht në proceset ndërkombëtare”.

“Për shembull; Kosova është partnerja e jonë demokratike, që pranon të vendosë sanksione dhe të mbështesë plotësisht atë që bashkësia ndërkombëtare dhe BE vendosin në lidhej me Ukrainën”.

“Në anën tjetër është Vuçiç, i cili thotë se e ka dorën e thyer dhe po ashtu do ta ketë për 4 vite, kështu që mendoj që nuk mund të nënshkruaje një marrëveshje që ndihmon në qetësimin e situatës. Vuçiç nënshkruan marrëveshje për politikën e jashtme me Rusinë, shumë muaj pas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës”, argumenton ajo.

E gjithë ajo që po kërkon Kearns “është ekuilibër”.

“Është e gabuar të dënohet një partner demokratik dhe të mos ketë pasoja për veprimet autokratike të një partneri të cilit nuk mund t’i besohet”.

Tutje, deputetja britanike nënvizon se “nuk kam parë asnjë udhëheqës që ta pranojë, ose të flasë për faktin se në Veri ka grupime të armatosura, që janë të financuara dhe të paguara nga Beogradi, që kalojnë armë përgjatë kufirit dhe i sjellin në Kosovë çdo ditë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore