Kosova

KDI kërkon ndryshimin e ligjit të punës: Të iniciohet ligji i ri dhe të fillojë dialogu me palët


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar që ligji i ri i punës të kthehet në agjendën legjislative, kjo për shkak se i njëjti nuk ofron mbrojtje dhe siguri të mjaftueshme për punonjësit.

Albesa Humolli nga KDI ka thënë se ky ligj është duke i lënë punonjësit të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, diskriminimit dhe kushteve të pasigurta të punës, ndërsa punësimi i personave që bëhet përmes këtij ligji është rreth 370 mijë.

“Ligji i ri i punës: në mes të nevojës dhe kohëzgjatja dhe mungesa e kufizimeve sa i përket kontratave  për kohë të caktuar, rregullimi i pushimit të lehonisë, mungesa e pushimit prindëror, mungesa e kufizimeve sa i përket orëve shtesë të punës, mungesa e kufizimeve sa i përket formalizmit të marrëdhënies së punës përmes lidhjes së kontratës së punës, çështja e rregullimit të punës me orar jo të plotë”.

“Çështja e së drejtës në pushim për punonjësit apo çështjet e tjera si rregullimi i punësimit në kohët moderne si puna hibride, puna nga shtëpia, apo puna për kompani jashtë vendit konsiderohen të jenë disa nga mangësitë e ligjit aktual të cilat asnjëherë nuk kanë arritur të adresohen”, ka thënë Humolli.

Nga KDI-ja është kërkuar inicimi i një ligji të ri të punës dhe të nisin bisedimet me palët.

“KDI kërkon nga Qeveria që të reflektojnë në këtë drejtim dhe të fillojë dialogun social më të gjithë palët, në mënyrë që ligji i punës të rikthehet në programin legjislativ për këtë vit”.

Më 1 maj, në Prishtinë është protestuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ku kishin marrë pjesë edhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është potencuar se Qeveria e Kosovës po vazhdon t’i ik dialogut.

Kërkesë e protestuesve ka qenë që Qeveria të veprojë në mënyrë që të mos përsëritet viti 2022, kur kishte grevë disamuajshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore