Lajme

Katër gra të dhunuara fizikisht e një e sulmuar seksualisht, raporton policia


Ilustrim

Dhuna në familje vazhdon të jetë vepra shpesh e përsëritur në raportet e organeve të rendit në Kosovë, të cilat përcillen te mediet çdo 24 orë.

Herë, 3, herë 5 e 7, janë shifrat mesatare të rasteve të raportuara për një ditë, nga gratë të cilat përjetojnë dhunë nga burrat, bashkëshortët ose ndonjë burrë tjetër i familjes.

Dhunë në familje, gratë në Kosovë përjetojnë edhe në ditë festive e ditë të veçanta për to.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, është raportuar se katër gra kanë pësuar dhunë në familje dhe një rast “sulm seksual”.

“Dunë në familje” e ka cilësuar prokurori i rastit, një rast të raportuar në Prishtinë. Rreth orës 21 më shtatë mars, një grua ka raportuar se është ofenduar e kërcënuar nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 24 orë.

Rreth orës 18, në Gjilan, Policia ka arrestuar një burrë tjetër i cili po ashtu akuzohet se ka kryer veprën “Dhunë në familje”. Kjo, pasi që viktima, një grua, kishte raportuar se ka përjetuar dhunë fizike. I dyshuari po mbahet në paraburgim për 24 orë deri në vendimin e radhës nga prokurori kujdestar, në këtë rast.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjakovë ka raportuar për dy raste të dhunës në familje.

Një rast është raportuar në Rahovec, ku një grua ka raportuar burrin, pasi që i njëjti vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj saj. Policia e ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa viktima ka marrë tretman mjekësorë, pasi që është konstatuar se ajo kishte probleme psikike. I arrestuari është intervistuar nga Policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër në qytetin e Gjakovës është raportuar më shate mars rreth orës 19. Pas raportimit të rastit në polici, këta të fundit e kanë arrestuar të dyshuarin, pasi që i njëjti ka shkaktuar dhunë në familjen e tij. Burri është invervistuar dhe paraburgosur, por për gruan dhe familjen e dhunuar nuk jepen informata se çfarë ka ndodhur me to.

Dhuna fizike e psikike, nuk ishte e mjaftueshme për një burrë nga Ferizaj. Ai shkoi edhe më larg. Ai ka sulmuar seksualisht një grua. Viktima raportohet se e ka lajmëruar rastin në polici më shtatë mars, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk jepen detaje të tjera. I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim deri në vendimin e radhës të prokurorit të këtij rasti.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore