Zgjedhjet në Kosovë

Kandidatët me rritjen më të madhe të votave


Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje janë tre kandidatët me rritjen më të madhe në vota në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Këtë e ka bërë të ditur Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci, pasi sipas tij bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në të gjitha komunat ka pasur lëvizje të shumta në vota të kandidatëve, që variojnë nga mbi 15 mijë vota deri në minus 250 sosh.

“Tre kandidatët me rritjen më të madhe në vota janë Përparim Rama me mbi 15 mijë e 407 vota, Shaqir Totaj me mbi 8 mijë e 98 vota dhe Shpejtim Bulliqi me mbi 3 mijë e 375 sosh”, ka shkruar Cakolli në rrjetin e tij në Facebook.

Të dielën e 14 nëntorit në Kosovë në 21 komuna nga 38 gjithsejtë u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës në raundin final të zgjedhjeve lokale ka fituar në pesë komuna.

Lëvizja Vetëvendosje, që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në raundin e balotazhit, fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh.

Lidhje Demokratike e Kosovës arriti të triumfojë në pesë komuna në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Ndërsa në garën e balotazhit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fitoi në tri komuna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore