Lajme

Kanceri i gjirit, aktiviteti fizik është i mirë edhe kur ka metastaza


Të ushtrohesh dhe të mos kesh kilogramë të tepërt konfirmohen si dy rregulla të arta në luftën kundër kancerit.

Jo vetëm për të mbajtur larg rrezikun për t’u sëmurur, por edhe për të pasur një shans më të mirë për t’u shëruar dhe për të jetuar më mirë nëse keni një neoplazi metastatike.

Ndaj dhe ekspertët e mbledhur në Milano për Konferencën Evropiane të Kancerit të Gjirit përsërisin sesi aktiviteti fizik është një mjet themelor.

“Deri tani shumë studime shkencore, të kryera mbi miliona njerëz, kanë treguar se si praktikimi i rregullt i sportit ndihmon në parandalimin e llojeve të ndryshme të kancerit, shërimin më shpejt dhe reduktimin e ndjeshëm të rrezikut të rikthimit”, ka theksuar Giuseppe Curigliano,  president i komitetit organizativ kombëtar të kongresit.

Rezultatet e hulumtimit të ri të paraqitur në hapje të konferencës tregojnë se pjesëmarrja në një program ushtrimesh fizike redukton dhimbjen dhe lodhjen, si dhe përmirëson cilësinë e jetës së grave me kancer metastatik të gjirit.

Të gjitha trajtimet kundër kancerit mund të shkaktojnë pasoja të padëshiruara gjatë ose menjëherë pas terapive, disa janë shumë të zakonshme si: irritime të lëkurës, të përziera dhe të vjella, diarre, inflamacion të zgavrës të gojës, humbje të oreksit dhe peshës, ënjtje të krahëve ose këmbëve.

Lodhja është shumë e përhapur dhe dobësuese, një kompleks simptomash që çon në uljen e energjisë fizike dhe aftësive mendore dhe gjithashtu ka pasoja në gjendjen psikologjike.

Shtrirja e çrregullimit është pjesërisht subjektive dhe pjesërisht varet nga ajo se çfarë dhe sa i rëndë është trajtimi i përshkruar për pacientin individual, qoftë radioterapi, kimioterapi apo barna të reja molekulare dhe imunoterapi.

Ushtrimi i rregullt gjatë dhe pas trajtimit mund të ndihmojë gjithashtu në ndalimin e disa prej sëmundjeve më të shpeshta te pacientët me kancer.

Hulumtimi i ri, i prezantuar nga Anouk Hiensch i Qendrës Mjekësore Universitare të Utrecht (Holandë), përfshiu 357 pacientë, mesatarisht 55 vjeç, me kancer metastatik të gjirit.

Gratë u rekrutuan në tetë qendra të kancerit në Gjermani, Poloni, Spanjë, Suedi, Holandë dhe Australi: 178 gra (të zgjedhura në mënyrë rastësore) u përfshinë në një program ushtrimesh fizike nëntë mujore përveç programit të tyre të trajtimit, ndërsa 179 të tjerat ndoqën rrugën e tyre terapeutike.

Programi përbëhej nga trajnime të personalizuara, të mbikëqyrura nga një fizioterapist ose ekspert i fiziologjisë sportive, dy herë në javë dhe duke përfshirë ushtrime rezistence, ushtrime aerobike dhe ekuilibri.

Në fillim të studimit dhe pas tre, gjashtë dhe nëntë muajsh, studiuesit i pyetën pacientët për nivelin e tyre të lodhjes dhe cilësinë e tyre të jetës, duke përfshirë nëse ata përjetuan ndonjë lloj dhimbjeje.

Rezultatet tregojnë se pjesëmarrësit në programin e aktivitetit fizik përjetuan më pak lodhje dhe arritën një cilësi më të mirë të jetës.

Përmirësimet më të rëndësishme janë gjetur te pacientët nën 50 vjeç (por përfitimet janë të mëdha edhe në moshë më të avancuara) dhe tek ata që përjetuan dhimbje në fillim të studimit.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore