Lajme

Kanadaja vendos sanksione të reja ndaj udhëheqësve bjellorusë


Kanadaja po vendos sanksione të reja ndaj udhëheqjes bjelloruse në përgjigje të përfshirjes së vendit në agresionin e beftë rus në Ukrainë.

Kjo u bë e ditur nga ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly.

Këto masa të reja vendosin kufizime për 22 zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të Bjellorusisë, të cilët mbështetën sulmin ndaj Ukrainës duke lejuar që ajo të shërbejë si “pikë nisjeje” për pushtimin rus. Kështu thuhej në një njoftim nga “Global Affairs Canada”.

“Bota është e tmerruar të shohë dhunën e pakuptimtë që po ndodh në Ukrainë. Ashtu siç Kanadaja po vendos sanksione të ashpra ndaj regjimit rus, udhëheqja bjelloruse gjithashtu duhet të mbahet përgjegjëse për mundësimin dhe mbështetjen e sulmeve të paprovokuara të Vladimir Putin-it”, tha Joly.

Kjo e fundit shtoi se, “Kanadaja i lutet presidentit bjellorus Alexander Lukashenko që t’i japë fund mbështetjes së tij për pushtimin rus. Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime të mëtejshme. Bota po shikon”.

Sipas njoftimit, Kanadaja ka sanksionuar më shumë se 500 individë dhe subjekte nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Trupat ruse ishin stacionuar në Bjellorusi – e cila kufizohet me Ukrainën në veri – përpara sulmit ndaj Ukrainës, për të cilën të dy vendet kishin pretenduar se ishin për stërvitje.

Përdorimi i kufirit të Bjellorusisë ka qenë strategjikisht i favorshëm për Rusinë, sepse kufiri i saj me Ukrainën është shumë më afër Kievit sesa ai i Rusisë, duke siguruar një rrugë më të shkurtër për trupat ruse për të arritur në kryeqytetin ukrainas.

Kujtojmë që kjo është dita e 22-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore