Lajme

Kamberi: Pushteti dhe opozita në Serbi akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim me Kurtin


Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur “teatër absurd”, seancën konstituive të kuvendit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kamberi ka thënë se kjo seancë dështoi nën fishkëllimat e opozitës dhe me akuza nga pushteti dhe opozita për bashkëpunim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Përveç verifikimit të mandateve nuk është arritur që të zgjidhët kreu i parlamentit, sepse opozita me protestat përmes fishkëllimave nuk ka lejuar vazhdimin e seancës. Nuk dihet kur do të jetë vazhdimi”.

“Gjithë kjo tollovi u karakterizua me akuzat e ndërsjella pozitë- opozitë se kush është “bashkëpunëtorë i Kurtit”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka paralajmëruar se bashkë me Ahmedinin dhe Selmën nga SDA do të vazhdojnë angazhimin në një mjedis politik parlamentarë të kontaminuar.

“I keni vjedhur zgjedhjet dhe “hajdutë kthejini mandatet”, ishin pankartat e deputetëve të opozitës në seancën konstituive të Kuvendit të Serbisë, ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të përbërjes së re.

Lista e opozitës, pretendoi se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pushteti e refuzon.

Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit Serbia kundër dhunës e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë.

Më 17 dhjetor, një numër i madh qytetarësh kanë protestuar në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në kryeqytetin serb.

Edhe vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) shprehën “shqetësimin e thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në qendrat e votimit në kryeqytetin serb. CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet.

Sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), partia në pushtet – Partia Progresive Serbe (SNS) – ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 65 për qind të mostrave të përpunuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore