Kosova

Kadrijaj, Vetëvendosjes: S’i ha më kush foret tuaja, jeni hajna dhe do shkoni në burg


Time Kadrijaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i ka cilësuar “hajna” ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët, sipas saj, e kanë vendin në burg.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, Kadrijaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po prodhon kauza të rrejshme ndonëse raportet e ndryshme po konstatojnë se Qeveria aktuale “është më e korruptuara”.

“E dini se me çfarë kauza keni ardhur në pushtet dhe nuk e keni mbajtur asnjë kauzë, këtë po e shohim edhe nga raportet e DASH-it po shohim edhe nga institucionet kredibile të çdo vendi të cilët po e përshkruajnë si Qeverinë më të korruptuar, vazhdoni ende me dal me kauza të rrejshme, por më populli nuk i han më këto fore, jeni hajna dhe si hajna do të shkoni në burg”, ka thënë ajo.

Kadriaj në Kuvendin e Kosovës ka komentuar edhe hulumtimin e mediave për largimin e hetuesve që po trajtojnë rastet e korrupsionit.

Sipas saj largimi i këtyre hetuesve tregon se qeveria është në panik për aferat korruptive.

“Pse po largohen hetuesit që janë duke hetuar këto raste të korrupsionit. Keni vendosur si polic hetimorë familjarët e ministrit. A keni thanë se familjarët janë për dasma e ahengje. E si mundet krejt një departament të jetë në përbërje me kushëri të ministrit të Brendshëm. Ky është fakti se jeni në panik, dhe po tentoni me i fsheh të gjitha këto raste të abuzimeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore