Sport

Ka dy oferta në La Liga, por Mallorca provon të mbajë Muriqin


Vedat Muriqi

Mallorca ka shpalosur interesimin e saj për të mbajtur Vedat Muriqin më gjatë në skuadër, pasi ai ka qenë një pjesë thelbësore për ta për dy sezonet e fundit.

Klubi spanjoll ka theksuar rëndësinë e Muriqit dhe kontributin e tij në suksesin e skuadrës në luftën për të mbetur në La Liga. Por, ata kanë lënë gjithçka në duart e sulmuesit, raportojnë mediat në Spanjë.

Muriqi i është përgjigjur zërave për largimin e tij të mundshëm nga Mallorca me deklarata besnikërie ndaj klubit.

Lojtari ka deklaruar se është i lumtur te Mallorca dhe se nuk do të mendojë të largohet nga skuadra nëse trajneri ose bordi nuk tregojnë ndryshe, diçka që duket se nuk po ndodh.

Kështu, e ardhmja e tij, të paktën në afat të shkurtër, duket e lidhur me klubin e Mallorca-s.

Pavarësisht deklaratave të Muriqit, janë shfaqur zëra për interesimin e klubeve të tjera, si Sevilla apo Atletico Madrid, për nënshkrimin e lojtarit.

Megjithatë, Muriqi e ka bërë të qartë se prioriteti i tij është të qëndrojë te Mallorca dhe se do të ishte i gatshëm të vazhdonte kontratën nëse i jepet mundësia, diçka që do të prishte planet e të dyja skuadrave për të marrë shërbimet e tij për 2024-25.

29-vjeçari është aktivizuar në 25 ndeshje me Mallorca-n këtë sezon mes Kupës së Mbretit dhe La Liga-s, nga ku ka shënuar pesë gola dhe dy asistime.

Sezoni i tij është shoqëruar nga një periudhë jashtë fushave për shkak të dëmtimit, ku humbi tetë ndeshje në La Liga dhe tre në Kupën e Mbretit.

Në total, përgjatë gjithë kohës së tij te Mallorca, Muriqi numëron 79 paraqitje, 26 gola dhe nëntë asistime.

Këtë sezon, Muriqi dhe skuadra e tij kanë befasuar jo pak duke kaluar në finalen e Kupës së Mbretit, ku të shtunën do të përballen me Athletic Bilbaon.

Kjo është hera e parë që nga sezoni 2002-23 që Mallorca shkon në finale. Ndërkohë, po atë sezon ata arritën ta fitonin trofeun, të cilin e humbën në dy paraqitjet e mëparshme (1990-91, 1997-98).

Në rast të një triumfi në kupë, Mallorca dhe Muriqi do të kualifikoheshin automatikisht sezonin e ardhshëm në grupet e Europa League.

Në La Liga, Mallorca gjendet në vendin e 15 me 31 pikë. Gjashtë pikë më shumë se zona e nxehtë e rënies nga kategoria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore