Lajme

JPMorgan do t’u paguajë viktimave të Jeffrey Epstein 290 milionë dollarë për zgjidhjen e padive


Një gjykatës amerikan ka dhënë miratimin paraprak për marrëveshjen prej 290 milionë dollarësh të çështjes së JPMorgan me gratë që thanë se Jeffrey Epstein abuzonte me to dhe se banka i injoroi.

Miratimi u dha nga gjykatësi i qarkut amerikan Jed Rakoff në një seancë dëgjimore në gjykatën federale të Manhatanit.

“Kjo është një zgjidhje vërtet e mirë”, ka thënë Rakoff.

Sipas tij, marrëveshja dhe një marrëveshje e ngjashme prej 75 milionë dollarësh me Deutsche Bank që ai miratoi në fillim të këtij muaji ishin “zgjidhje shumë të mëdha”.

Të tilla sa do të kompensojnë viktimat e Epstein, megjithëse nuk do të kompensojnë dot abuzimet që ato pësuan.

Epstein kishte qenë klient i JPMorgan nga viti 1998 deri në vitin 2013, kur banka mbylli llogaritë e tij.

Viktimat e udhëhequra nga një ish-balerin e njohur si Jane Doe 1 thanë se JPMorgan qëndroi në kontakt me të shumë kohë pas largimit të tij zyrtar.

Avokatët e viktimave thanë javën e kaluar se zgjidhja e propozuar me para në dorë ishte “e drejtë, adekuate, e arsyeshme” duke pasur parasysh rreziqet e proceseve gjyqësore të mëtejshme dhe mohimin e përfshirjes së JPMorgan në trafikimin seksual të Epstein.

Banka në një deklaratë këtë muaj ka deklaruar se çdo lidhje që kishte me Epstein “ishte një gabim”.

Epstein mbeti klient i JPMorgan për pesë vjet pasi u deklarua fajtor në vitin 2008 për një akuzë për prostitucion në Florida dhe u regjistrua si shkelës seksual.

Në seancën dëgjimore, Rakoff pyeti avokatin e Jane Doe 1, David Boies, pse nuk kishte shpërndarje minimale për secilën viktimë, duke vënë në dukje se zgjidhja e Deutsche Bank, të cilën Boies gjithashtu e negocioi, i garantonte secilit të paktën 75 mijë dollarë.

Sipas Boies, shumë viktima në rastin e Deutsche Bank ishin nga Rusia ose Evropa Lindore dhe të vështira për t’u kontaktuar, duke e bërë minimumin e garantuar një nxitje për të dalë përpara.

Për të, kjo nuk ishte e nevojshme në rastin e JPMorgan.

Rakoff caktoi Simone Lelchuk, një avokate e specializuar në administrimin e shlyerjeve, për të shqyrtuar pretendimet individuale dhe për të përcaktuar pagesat në çështjet JPMorgan dhe Deutsche Bank.

Sakaq, JPMorgan po përballet gjithashtu me një padi për Epstein nga Ishujt e Virgjër të SHBA-ve, ku financuesi zotëronte dy ishuj fqinjë. Ky rast aktualisht është planifikuar të dalë në gjyq më 23 tetor.

Epstein ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare në një qeli burgu në Manhatan, teksa priste gjykimin për akuzat për trafikim seksual.

Ekzaminuesi mjekësor e quajti vdekjen një vetëvrasje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore