Shqipëria

“Jo vetëm liri ekonomike, por edhe liri lëvizjeje në BE”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalën e tij pas Samitit të Ballkanit Perëndimor, së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, ku pikat kulmore kanë qenë dy: liri ekonomike nëpërmjet Schengen-it ballkanik dhe liri lëvizjeje falë pasaportës së gjelbër të vaksinimit.

Kështu, një kërkesë zyrtare për vendet e Bashkimit Evropian mbi njohjen e pasaportës së vaksinimit në gjithë rajonin e Ballkanit, i është çuar Këshillit të Evropës. Ndërsa, hapja e kufijve ekonomikë në rajon është mbështetur plotësisht edhe nga BE-ja.

Investimet ekonomike të BE-së në rajon janë ato që do të bëjnë të mundur lehtësimin e situatës post-Covid. Por, këto investime, janë të strategjizuara në aspektin e ndërlidhjes automobilistike, hekurudhore apo çdo lloji tjetër transporti në Ballkan.

Mini-Schengen

Por, ky lehtësim, duhet doemos të mbështetet nga heqja e kufijve ekonomikë në Ballkan, në atë që quhet Mini-Schengen Ballkanik.

Këtu, sipas kryeministrit, përfshihen edhe aspektet e energjisë, digjitalizimit dhe interkonektivitetit. Pra, një strukturë e vërtetë komunikimi midis vendeve të Ballkanit.

Mbi procesin e Berlinit, kryeministri Rama ka qenë i qartë, në faktin se ambicia e gjithë krerëve të rajonit, është ajo e një takimi të radhës më 5 korrik, si të fundit në këtë format. Prej vitit të ardhshëm, konkretizimi duhet të jetë ai i një takimi nën udhëheqjen e Komisionit Evropian, me pjesëmarrje të vendeve të rajonit dhe vendeve të BE-së.

Në këtë formë, sipas Ramës, ajo që do të kërkohet gradualisht të implementohet, do të jetë jetësimi i katër lirive brenda BE-së, në Ballkan fillimisht. Këtu përfshihen: tregtia, qeverisja e të dhënave dhe mundësitë e pikëpamjes ekonomike.

Por, me implementimin e Schengen-it ballkanik, do të kërkohen që këto liri të aplikohen edhe karshi vendeve të BE-së.

Vaksinimi

Vaksinimi ka qenë gjithashtu objekt i diskutimeve. Hungaria ka qenë vendi i parë, që ka pranuar njohjen e certifikatës shqiptare të vaksinimit. Por, Rama e ka theksuar më shumë se një herë faktin se Shqipëria është më mirë se BE-ja në situatën e Covid-19.

Madje, kryeministri ka thumbuar komisionerin, duke thënë se “ai dhe delegacioni nga Brukseli, duhet doemos të ndihen të lehtësuar që maskat i kanë lënë atje dhe i kanë hequr këtu”.

Për këtë arsye, karta e gjelbër digjitale është një kërkesë, e cila duhet të pranohet nga KE-ja, sipas Ramës.

Detyra dhe detyrime

“Detyrat tona i bëjmë plotësisht jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse duhet t’i bëjmë për vete”.

Kështu i referohet kryeministri Rama reformave në të cilat Shqipëria duhet të kalojë, por të cilat janë të ndara nga detyrimet që ka ndaj BE-së.

Sipas tij, detyrat e shtëpisë janë rruga për të modernizuar vendet e rajonit ballkanik. Ato janë rruga për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes së madhe evropiane. Detyrimet që ka Shqipëria ndaj BE-së, janë kryerja e detyrave të shtëpisë në drejtësi, mirëqeverisje, në procesin demokratik të vendit.

Detyra këto, që edhe sipas komisionerit Varhelyi, janë kryer tashmë nga Shqipëria dhe gjithçka pritet, është vendimi i BE-së.

“Për sa kohë ne, komisioni evropian na ka thënë se i keni bërë si duhet detyrat dhe i ka kërkuar evropianëve të hapin procesin, jemi të qetë”, ka theksuar Rama.

Por, shqiptarët duhet të mbeten në pritje të vendimit nga Brukseli. Përgjigja më e afërt, nëse çështja do të vijojë ose jo, do të merret së shpejti, kur Këshilli i Evropës të mblidhet. Shqipëria gjithsesi, është në gatishmëri të plotë për hapjen e integrimit.

“Fijet janë lidhur. Ne jemi në rrugën e duhur. Nuk ka asnjë minutë për të humbur nga ana jonë”, e përmbylli Rama konferencën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore