Lajme

Jo njohja, por e panjohura – në qendër të dialogut në Bruksel


Foto ilustruese nga Albanian Post

Targat, çështja e të pagjeturve, apo njohja e diplomave?

Këto mund të jenë “3-4 marrëveshjet” për të cilat foli Miroslav Lajçak, kur tha se janë afër t’i nënshkruajnë Kosova e Serbia në Bruksel.

Megjithatë, për shkak të mbylljes së qeverisë së Kosovës në raport me publikun dhe mos-transparencës në dialog, ky është vetëm një hamendësim.

Edita Tahiri, dikur vetë kryenegociatore në Bruksel, thotë shkurt për Albanian Post se kjo është një përgjigje që do të duhej ta kumtonte qeveria e Kosovës.

“Qeveria i ka përgjigjet, sepse ata janë duke negociuar me palën serbe dhe Lajçakun”, thotë Tahiri për AP.

Ndërsa ish-bashkëpunëtori i Tahirit dhe pjesë e ekipit të saj në Bruksel, Gazmir Raci, deklaron se “unë nuk po kuptoj pse nuk u fol asnjëherë për marrëveshjen e njohjes së diplomave, kthimin e dosjeve kadastrale, hapjen e urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, përfundimin e ndërtimit të edhe 4 pike të kalimeve të përbashkëta kufitare IBM etj”.

Kjo s’është hera e parë që Qeveria qëndron bunker në raport me publikun.

Edhe për marrëveshjen e fundit mes Kosovës e Serbisë, atë për udhërrëfyesin për implementimin e pajtimit të arritur në 2013 për energjinë elektrike, publiku në Kosovë, fillimisht u njoftua përmes presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është edhe krye-negociator në dialog, shkroi një status në Facebook, vetëm pasi mediat nisën të raportojnë për atë çfarë po ndodhte në Bruksel.

Qeveria s’jep informacione as tash, prandaj Bekim Çollaku, ish-ministër dhe njohës i mirë i proceseve negociuese pohon për Albanian Post se “nuk ia vlen të spekulohet se cilat marrëveshje teknike apo udhërrëfyes (qoftë ajo për të pagjeturit apo për targat e makinave) do të arrihen në të ardhmen e afërt në kuadër të dialogut”.

“Ajo çfarë është e sigurt”, deklaron ai “ka të bëjë me faktin se nuk po diskutohet dhe nuk pritet të arrihet një marrëveshje përfundimtare së shpejti”.

“Fatkeqësisht, dialogu është rikthyer në një proces të rishikimit dhe riciklimit të marrëveshjeve të arritura vite më parë. Prandaj, tani ky dialog po prodhon vetëm udhërrëfyes të ri për zbatimin e marrëveshjeve të vjetra”.

Kjo, sipas Çollakut, po ndodhë për shkak se për dialogun në Bruksel më nuk ka strategji dhe as vizion.

“Në mungesë edhe të guximit politik për të arritur marrëveshje përfundimtare, palët e përfshira në proces po e ruajnë status quo/në duke simuluar marrëveshje të reja teknike”, deklaron ai.

Marrëveshje që s’respektohen

Pajtimi i arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë me 21 qershor në Bruksel mbeti – si gjithmonë – vetëm në letër.

Afatet që parashihen në udhërrëfyes për implementim nuk po respektohen – duke filluar nga i pari.

Në pikën dy të udhërrëfyesit thuhet se “brenda shtatë ditësh të pajisjes me licencë, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme të konsumatorëve në Veri, përmes Bashkimit Evropian”.

Jo shtatë, por kanë kaluar 17 ditë nga marrja e licencës së Elektroseverit nga ZRrE-ja dhe kompania serbe nuk ka dorëzuar, ashtu siç parashihet me marrëveshje, të dhënat për konsumatorë.

Të pyetur nga Albanian Post nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë kanë treguar se nuk është respektuar ajo që është akorduar në marrëveshje.

“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Por, jo vetëm ky afat dhe jo vetëm kjo pikë.

Një dyzinë marrëveshjesh që pritej të nënshkruheshin në mes të Elektroseverit, KOSTT-it dhe KEDS-it nuk janë nënshkruar po ashtu.

Gazmir Raci thotë se “nuk ka çka shtyhet më”.

“Ose të zbatohet ose të shpallet e pazbatuar nga Serbia”.

“Afatet duhen të respektohen me rigorozitet të plotë. Nëse Elektrosever nuk i përmbush kushtet duhet qe Kosova të veprojë sipas marrëveshjes. Nuk ka çka ri negociohet tutje”, deklaron ai.

Për Bekim Çollakun pengesa të tilla të mos zbatimit të marrëveshjeve teknike, dalin pikërisht për shkak të mos pasjes së një versioni, apo ideje për marrëveshje finale.

“Prandaj, derisa nuk arrihet marrëveshja përfundimtare, vazhdimisht do të ketë vonesa dhe probleme në zbatimin e marrëveshjeve teknike”.

Raci po ashtu shton se “Kosova dhe Serbia tani duhet te koncentrohen tek marrëveshja finale dhe pastaj në kuadër të finales të zgjidhen edhe këto të mbeturat nga dialogu i mëhershëm”.

Njohja në qendër

Jo veç analistët e opozitaristët e qeverisë. Edhe vetë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, kohëve të fundit vazhdon ta përsërisë se qasja e tij është “njohja në qendër”.

Pa e shpjeguar mirë se çfarë nënkupton kjo “njohje në qendër”, ai akuzon ata që negociuan para tij, që njohjen e patën vetëm në fund të procesit.

Por, derisa ideja e “njohjes në qendër” mbetet vetëm një formulim semantik, Kosova aktualisht në Bruksel jo që nuk merret me njohjen dhe me marrëveshjet e ardhshme, por procesi krejtësisht është kthyer përmbys.

Siç e ka shpjeguar edhe emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun sa ishte në Kosovë.

Ata aktualisht po merren me marrëveshjet që u nënshkruan për gjatë 10 vjetëve të kaluara e të cilat mbetën pa u zbatuar pas nënshkrimeve.

Kështu që, aktualisht, dialogu në Bruksel në qendër nuk e ka njohjen, por të kaluarën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore