Lajme

JK Rowling kërcënohet për postimin që ajo bëri në mbështetje të Salman Rushdie në Twitter


Kërcënime të rënda i janë drejtuar autores britanike të të famshmit «Harry Potter», JK Rowling, pas dënimit që ajo i bëri sulmit ndaj shkrimtarit tjetër anglo-indian Salman Rushdie.

Shkrimtarja, menjëherë, ndau një postim në llogarinë e saj në Twitter ku shprehte tmerrin për atentatin ndaj kolegut të saj. “Lajm i tmerrshëm. Ndihem shumë keq tani. Shpresoj të jetë mirë”, do të shkruante ajo.

Një person komentoi në këtë postim, duke thënë “Mos u shqetëso, ti do i vish më pas”, pasi e përshkruante Matarin, përgjegjësin e agresionit, si “luftëtar revolucionar shiit”.

Rowling ndau pamjen screenshot të komentit dhe i kërkoi Twitter-it të ndërhynte. “A ka mundësi për ndihmë?”, shkroi ajo, duke vënë në dukje më pas se policia ishte përfshirë në këtë aferë.

Një zëdhënës i policisë skoceze do të deklaronte në lidhje me rastin: “Ne kemi marrë një raport për një kërcënim të bërë në internet dhe agjentët po hetojnë”.

Kompania “Warner Bros”, që qëndron pas filmave të Harry Potter, ka thënë se dënon ashpër kërcënimet ndaj Rowling. Në një deklaratë për shtyp deklaron: “Ne jemi me të dhe me të gjithë autorët, tregimtarët dhe krijuesit që shprehin me guxim krijimtarinë dhe mendimet e tyre”. Dhe më pas do të shtonin: “Mendimet tona janë me Sir Salman Rushdie dhe familjen e tij pas aktit të pakuptimtë të dhunës në Nju Jork”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore