Lajme

Jasharaj paralajmëron “grevë të heshtur” nga mësimdhënësit


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Rrahman Jasharaj, po paralajmëron “grevë të heshtur” për shkak të pakënaqësive me Ligjin e Pagave.

Sipas tij, “greva e heshtur” nënkupton kur njerëzit kanë pritur më shumë, në këtë rast nga Ligji i Pagave kanë pritur edhe punëtorët e arsimit.

“Ata shkojnë në klasë, por nuk jam i sigurt se e japin maksimumin e mundur. Ata vetvetiu e humbin atë freskinë, atë elanin për të dhënë 100 për qind nga vetja, por punojnë të dëshpëruar dhe kur njeriu është i dëshpëruar frytet e punës janë shumë më të vogla”, ka thënë Jasharaj për Ekonomia Online.

“Rreziku” tjetër sipas tij është edhe largimi i mësimdhënësve jashtë shtetit, derisa shton se një pjesë e madhe e tyre po e marrin një vit pushim pa pagesë, që nënkupton mundësin e largimit nga shteti.

“Punëtorët nuk punojnë me pagat që i kanë këtu në Kosovë, por shkojnë jashtë sepse pagat janë shumë më të mëdha. Po të dilte kryeministri Kurti me njerëzit e tij jo me kërcënime, por të bisedonte thjesht me popullin e vetë, do të shihte se situata është tmerrësisht e keqe’, ka shpjeguar ai.

Kosova jo rrallëherë është ballafaquar me greva.

Në periudha të ndryshme, sindikatat kishin paraqitur kërkesa ndaj qeverive që udhëhiqnin vendin.

Por, greva e vitit të kaluar që kishte zgjatur më shumë se katër javë, rezulton të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Vitin e kaluar, nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind ishin deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore