Lajme

Japonia, mes valës së të nxehtit në Tokyo, fik dritat për të kursyer energji


Qeveria japoneze ka paralajmëruar dhjetëra miliona banorë në rajonin e Tokyo-s që të kursejnë energjinë ose të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike.

Temperaturat prej 35 gradë Celsius u parashikuan në qytet gjatë gjithë ditës, me mot të ngjashëm ekstrem që pritet për pjesën tjetër të javës, sipas agjencisë meteorologjike japoneze, përcjell Albanian Post.

“Ne i kërkojmë publikut të reduktojë konsumin e energjisë gjatë orëve të hershme të mbrëmjes kur raporti i rezervës bie”, u tha gazetarëve Yoshihiko Isozaki, zëvendëskryesekretari i kabinetit.

Isozaki këshilloi familjet dhe bizneset që të fikin dritat, të cilat nuk janë në përdorim dhe të kufizojnë përdorimin e kondicionerëve, megjithëse shtoi ai, njerëzit duhet të ruhen nga goditja e nxehtësisë.

Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë tha se njerëzit, që jetojnë në rajonin e shërbimit të Tokyo-s Electric Power [Tepco], duhet të kursejnë energjinë, veçanërisht kur kërkesa arrin kulmin në orët e vona të pasdites dhe herët në mbrëmje.

Raportet thanë se kapaciteti gjenerues i rezervave rrezikonte të binte deri në 3.7% në Tokyo dhe rajonin përreth në atë kohë; nën 3% rrezikon mungesa dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Kaname Ogawa, drejtor i politikës së furnizimit me energji elektrike në ministri, tha se kërkesa për energji elektrike ishte më e lartë se sa pritej, sepse temperatura kishte tejkaluar parashikimin e së dielës.

“Ne jemi të goditur nga nxehtësia e pazakontë për sezonin”, tha Ogawa.

“Ju lutemi bashkëpunoni dhe kurseni sa më shumë energji të jetë e mundur”.

Pjesa më e madhe e Japonisë normalisht do të përjetonte temperatura më pak të pakëndshme gjatë mesit të sezonit të shirave. Të hënën agjencia deklaroi se sezoni kishte përfunduar, data më e hershme e regjistruar, në rajonin Kanto, i cili përfshin Tokyo-n.

Ishte fundi më i hershëm i sezonit që nga fillimi i regjistrimeve në 1951 dhe 22 ditë më herët se zakonisht.

I nxehti ka përfshirë edhe pjesë të tjera të vendit ditët e fundit.

Të dielën, qyteti Isesaki në prefekturën Gunma, në veri të Tokyo-s, regjistroi temperaturën më të lartë të vendit në qershor, në 40.2C.

Më shumë se 250 njerëz u dërguan në spitalet e kryeqytetit gjatë fundjavës, sipas gazetës Mainichi Shimbun.

Zyrtarët kanë inkurajuar njerëzit të heqin maskat e tyre kur në ambientet e hapura, për të parandaluar goditjen e nxehtësisë, megjithëse shumë prej tyre mbanin ende mbulesa të fytyrës në Tokyo të hënën.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore