Lajme

Janjiç: Zgjedhjet në Veri të Kosovës nuk e zgjidhën problemin politikisht


Dushan Janjiç

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, ka vlerësuar këtë të shtune se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës, nuk është zgjidhur problemi politik që ekziston atje.

“QUINT-i ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin e Kosovës, por nuk kanë qenë, dhe nuk janë as legjitime e as të ligjshme”, vlerëson Janjiç për agjencinë serb të lajmeve “Tanjug”.

Ndërkaq, ai tha se pasi që njëherë bashkësia ndërkombëtare thanë që zgjedhjet janë të ligjshme, por “pastaj doli një detaj i vogël dhe djalli është gjithmonë në detaje, se kjo nuk e zgjidh problemin politik”, duke iu referuar deklaratave të disa përfaqësuesve ndërkombëtar, siç është ajo e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ku deklaronte se “këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate”.

“Problemi politik reflektohet në mënyrën se si ata që zgjidhen do ta ushtrojnë pushtetin”, shtoi ai.

Ndryshe, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, në katër komunat në Veri të Kosovës, nuk morën pjesë partitë serbe në Kosovë.

Kandidatët për kryetarë komunash ishin vetëm shqiptarë.

Madje, partitë serb në Kosovë, e veçanërisht ajo më e madhja, Lista Serbe – e cila dirigjohet drejtpërdrejtë nga Serbia, rrjedhimisht nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, kishin bërë thirrje dhe kërcënime serbëve që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.

Thirrjet dhe kërcënimet e tyre kishin bërë që nga 40 mijë votues në ato komuna, të drejtën e tyre ta shfrytëzonin vetëm pak më shumë se 1 mijë.

Ndërsa, të premten, Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes është betuar si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në seancën solemne të organizuar në sallën e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Atiq dha betimin para asamblistëve të komunës.

“Unë Erden Atiq betohem se si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut do të kryejë detyrat në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha Atiq.

Vendimi i parë i Atiq si kryetar komune ishte emërimi i Katarina Agjançiç si nënkryetare e tij.

Pas fjalimit të shkurtër në sallën e Kuvendit Komunal, Atiq foli për medie, në korridor të objektit të Komunës.

“Sapo e përfunduam seancën solemne, dua të jap dy mesazhe të shkurta, për të gjithë”, tha ai.

“Ne me të gjithë ekipin dhe unë si kryetar komune, shprehem se do të punoj për të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicës, pa dallim e pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëj për ta normalizuar këtë pjesë të komunës dhe i bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë të na takojnë e të na vizitojnë e të bashkëpunojmë, sa më mirë, për të mirën e tyre, qytetarëve”, deklaroi kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore