Lajme

Janez Jansha reagon për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Me sa duket rezultat i gjetjeve në rastin Berishaj – GENi – Golob


Janez Jansha dhe Rober Golob

Ish-kryeministri slloven, Janez Jansha, nëpërmjet një cicërime në rrjetin e tij social “Twitter”, ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

Jansha e ka cilësuar aksionin e Policisë së Kosovës dhe arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, si rezultat i zbulimeve të bëra në rastin e skandalit financiar/energjetik në Slloveni, ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci.

“E fundit: Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj – GENi – presidenti [Robert] Golob”, ka shkruar shkurtimish Jansha, duke e etiketur Qeverinë e Sllovenisë.

Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për dallavere me një tender që tejkalon vlerën e 3 milionë eurove.

Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij dhe dy personave të tjerë ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut pasditen e së mërkurës nën dyshimin për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.

Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një laptop, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit, por deputetët e kësaj partie e kanë kritikuar këtë të mërkurë arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, pasi i njëjti u arrestua nën dyshime për korrupsion.

Mes institucioneve të Kosovës dhe Martin Berishajt, Kurti zgjodhi Berishajn – pse?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore