Kosova

Jam i impresionuar me vendosmërinë dhe punën e madhe të prokurorëve, thotë Hovenier


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në fjalën e tij në konferencën vjetor të Prokurorit të Shtetit, ka përshëndetur prokurorët, sipas tij, për punën e madhe që kanë bërë gjatë viteve, pavarësisht sfidave me të cilat janë përballur.

“Jam impresionuar me atë që kam parë me vendosmërinë tuaj dhe punën tuaj. Keni treguar përkushtim të madh. E di se puna e një prokurori nuk është e lehtë”, është shprehur ai fillimisht.

Sipas tij kritikat ndaj punës së prokurorit janë të pritshme, por e rëndësishme është përballimi i tyre.

“Edhe pse mund të shiheni si figura të fuqishme është e pritshme që të kritikoheni me punën tuaj. Jam i bindur se është frustruese e ofenduese që të merrni kritika nga qytetarët e udhëheqësit e vendit. Dëshiroj të theksoj se durimi i këtyre kritikave që të mos ju pengojnë për të kryer punën tuaj është i rëndësishëm, duhet ta kryeni punën tuaj me profesionalizëm dhe pa ndikim”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ndër të tjera ka potencuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të sigurojë një proces të drejtë, transparent për përzgjedhjen e prokurorit të ardhshëm të shtetit.

Sipas tij KPK-ja duhet të ndërmarrë hapat e nevojshme për të rikthyer besimin e publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në anën tjetër Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka theksuar se duhet të ndalohen kritikat e pushtetit ndaj Prokurorisë.

“Kohëve të fundit fatkeqësisht kam vënë re deklarata nga pushteti duke kritikuar punën tuaj. Kam reaguar në këtë, kjo duhet të ndalohet. Dua ta përmend çështjen e kryeprokurorit te shtetit, kjo zgjidhje e përkohshme nuk duhet të zgjatet sepse ka ndikim negativ”, ka theksuar Szunyog.

Szunyog, në fjalën e tij në konferencën vjetore të prokurorëve, ka vlerësuar se prokurorët luajnë një rol jetik në sistemin e drejtësisë.

“Angazhimi juaj konstruktiv është i domosdoshëm, nëse implementohen si duhet këto reforma do të sjellin deri një funksionim i përmirësuar i gjyqësorit dhe prokurorisë, dhe që do të çojë te besimit i publikut”, u shpreh Szunyog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore