Lajme

Jakshiç: Kosova dhe Serbia kanë shans historik të pajtohen, vështirë të kenë ofertë më të mirë


Boshko Jakshiç

Gazetari dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Boshko Jakshiç, në një editorial të publikuar në 15-vjetorin e pavarësisë në gazetën boshnjake “Oslobodenje”, ka shkruar për historikun e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pas përfundimit të luftës.

Ai shkroi se propozimi i Bashkimit Evropian me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, paraqet një “shans historik” për të dyja vendet që të vazhdojnë rrugën drejt integrimeve euro-atlantike, sepse sipas tij, “vështirë se do të kenë ofertë më të mirë”.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e pranuan propozimin franko-gjerman sepse, përndryshe, do të përballeshin me pasoja të rënda, të cilat më së shumti do t’i vuanin qytetarët e të dyja vendeve.

“Beogradi mund të harronte integrimin evropian dhe investimet nga Perëndimi, ndërsa Prishtina do të mbetej pa mbrojtjen e aleatëve dhe integrimi në BE pothuajse do të ishte ngrirë. Ka ardhur koha për një shans historik. Beogradi dhe Prishtina vështirë se do të kenë një ofertë më të mirë”, shkroi Jakshiç.

Në këtë kontekst, ai theksoi se kriza rreth Kosovës, i hapi dyert Rusisë që të shtrinte ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe sipas tij, asnjëherë më parë Kremlini nuk ka ushtruar një ndikim kaq të fortë në Serbi dhe në Republikën Srpska.

“Fillimi i punës serioze të Rusisë për destabilizimin e rajonit lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e Kosovës. Serbët në Mitrovicën e Kosovës kurrë më parë nuk kishin mbajtur fotografi të Vladimir Putinit. Kremlini përpiqet të përdorë Kosovën për të legalizuar pushtimet dhe aneksimet e saj në Ukrainë”, shtoi Jakshiç.

Jakshiç pohoi që edhe pse në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, janë zgjidhur disa çështje teknike si njohja e diplomave, kodi telefonik i Kosovës (+383), targat e makinave, etj., procesi i dialogut po zhvillohet tejet ngadalë.

“Lufta në Ukrainë ka acaruar në mënyrë dramatike marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit deri në atë masë sa BE dhe SHBA janë të vendosura që çështjen e Kosovës ta heqin nga rendi i ditës në mënyrë që ajo të mos kthehet në problem sigurie”, konsideroi Jakshiç.

Në këtë shkrim, gazetari serb nuk ka harruar t’i listojë edhe disa nga sukseset e Kosovës përgjatë këtyre 15 viteve të konsolidimit si shtet i pavarur, që përkundër hijes së rëndë të konfliktit me Serbinë, po lulëzon në art, kulturë dhe në sport.

“Fëmijët e Kosovës si Rita Ora dhe Dua Lipa janë bërë yje të muzikës ndërkombëtare. Artisti i ri Petrit Halilaj mori një çmim special në Bienalen e Venecias në vitin 2017. Dy xhudiste nga Kosova fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike 2021 në Tokio”, kujtoi ai.

Ai shtoi se suksesi i mëtutjeshëm varet në një masë të madhe nga gatishmëria e autoriteteve kosovare për t’u drejtuar më efektivisht drejt zgjidhjes së problemeve të brendshme dhe të punojnë me Perëndimin, i cili nuk duhet të lejojë që ambiciet euroatlantike të Kosovës të zbehen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore