Lajme

Jablanoviç takon Hovenier: Vendimi për dinarin na dërgon në një situatë kritike, me pasoja të paparashikueshme


Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jablanoviç, të mërkurën, ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku ndër çështjet e diskutuar ka qenë edhe rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për transaksione financiare e shit-blerje në territorin e Kosovës.

Sipas Jabllanoviç, vendimi i BQK-së ka shkaktuar frikë dhe ankth te populli serb.

“Këto veprime të njëanshme të Albin Kurtit, e sidomos përpjekja për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, janë shkak i emigrimit në rritje dhe masiv të serbëve nga Kosova dhe na dërgon në një situatë kritike, pasojat e së cilës mund të jenë të paparashikueshme”, ka potencuar Jablanoviç.

Ai gjatë takimit ka njoftuar se ka përshëndetur kërkesën e Hovenier për shtyrjen e vendimit për dinarin.

“Pikëpamjet dhe deklaratat e Hovenier dhe administratës amerikane për këtë dhe disa çështje të tjera janë inkurajuese. Shpresojmë thellë dhe sinqerisht që edhe veprimet e SHBA-së dhe ambasadës në Prishtinë të jenë në përputhje dhe në frymën e qëndrimeve të deklaruara në ditët e kaluara”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër vendimit të Bankë Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para gazetarëve, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dua të përsërisë qëndrimin e SHBA-ve: kemi  shqetësime serioze dhe rezerva për zbatimin e këtij vendimi. Mund ta them lirisht se jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Hovenier.

Ai shtoi se për shkak të shqetësimeve që kanë për eskalim të tensioneve, kjo çështje fillimisht duhet të diskutohet në Bruksel.

“Kemi përshtypjen se nuk janë në dijeni të plotë për impaktin që do ta ketë ky vendim për qytetarët, sidomos për ata që marrin ndihma nga Serbia këtu në Kosovë. Mendojmë që kjo cështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm, por gjithashtu diskutim në dialogun e Brukselit, jemi të shqetësuar se mund t’i ekskalojë tensionet etnike”, pohoi Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore