Lajme

Izraeli legalizon 9 vendbanime të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar


Në Izrael, kabineti i ekstremit të djathtë ka miratuar legalizimin e nëntë vendbanimeve të paligjshme të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Çka ka tërhequr dënimin nga Autoriteti Palestinez (PA), i cili e ka quajtur masën një “luftë të hapur” kundër popullit të vet.

Më shumë njësi banimi ka të ngjarë të ndërtohen në vendbanime të veçanta ekzistuese të paligjshme, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

“Nëntë komunitetet kishin ekzistuar për shumë vite, disa kanë ekzistuar për dekada”, shtohet në deklaratë. Ato janë ndërtuar pa autorizim nga qeveria izraelite.

Më shumë se gjysmë milionë izraelitë jetojnë në më shumë se 200 vendbanime të ndërtuara në tokën palestineze që konsiderohen të paligjshme sipas ligjeve ndërkombëtare.

Për palestinezët, zgjerimi i vendbanimeve kërcënon qëndrueshmërinë e shtetit të ardhshëm palestinez si pjesë e zgjidhjes me dy shtete.

Sakaq, Ministria e Jashtme palestineze ka deklaruar se vendimi i fundit i ka kapërcyer “të gjitha vijat e kuqe” dhe se ka minuar ringjalljen e “procesit të paqes”.

SHBA-të, të cilat ofrojnë miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin, nuk kanë komentuar ende, por muajin e kaluar ambasadori i tyre ka thënë se vendi kundërshton autorizimin e vendbanimeve izraelite.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka transmetuar pikëpamje kundër vendbanimeve.

Kurse Kombet e Bashkuara kanë dënuar vendbanimet ilegale në territoret e pushtuara palestineze me rezoluta dhe vota të shumta.

Analisti politik Mohammad Oweis ka thënë për “Al Jazeera”-n se qeveria e Netanyahu-t, i cili u zgjodh në nëntor për të formuar një koalicion të krahut të djathtë të linjës së ashpër, po rrit pretendimet mbi tokën palestineze.

“Ky është një përshkallëzim, kjo do të rrisë nivelin e dhunës kundër pronës së palestinezëve”, ka thënë Oweis.

Sipas tij, palestinezët do të vazhdojnë të rezistojnë me gjithçka që kanë për të mbrojtur jetën dhe pronën e tyre.

Ndërkaq, Zyra e kryeministrit izraelit ka deklaruar se vendimi ishte marrë si hakmarrje për dy sulmet e fundit në Jerusalem që lanë të vranë dhjetë izraelitë.

Tre izraelitë, duke përfshirë dy fëmijë, u vranë në një sulm të premten në Ramot, një lagje e vendbanimeve hebreje në Jerusalemin Lindor të pushtuar.

“Në përgjigje ndaj sulmeve terroriste vrastare në Jerusalem, kabineti i sigurisë vendosi njëzëri të autorizojë nëntë komunitete në Jude dhe Samari”, ka deklaruar zyra e Netanyahu-t.

Njoftimi vjen mes përshkallëzimit të dhunës izraelito-palestineze, me të paktën 46 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite këtë vit.

Po ashtu nëntë izraelitë dhe një ukrainas janë vrarë në sulmet palestineze në gjashtë javët e fundit.

Forcat izraelite kanë vrarë të paktën dy palestinezë, duke përfshirë një adoleshent, në Bregun Perëndimor në dy ditët e fundit.

Më herët, Netanyahu ka thënë gjatë një takimi të qeverisë së tij se donte të “forconte vendbanimet”.

Dhe se qeveria e tij donte të dorëzonte legjislacionin në Knesset, parlamentin izraelit, këtë javë për të hequr kombësinë izraelite të “terroristëve”.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore