Lajme

Izrael, nuk rinovohet ligji “për të drejtat e shtetësisë arabe”


Parlamenti i Izraelit ka dështuar të rinovojë një ligj, sipas të cilit qytetarëve arabë u ndalohet e drejta e shtetësisë ose qëndrimit të bashkëshortëve të tyre nga West Bank dhe Gaza.

Rezultati i votimit ishte aq i ngushtë, saqë ngriti dyshime për qëndrueshmërinë e qeverisë së re të koalicionit të vendit.

Vota 59-59, e cila erdhi pas një seance gjithë natës të Knesset, shënoi një pengesë të madhe për kryeministrin Naftali Bennett.

Udhëheqësi i ri izraelit, i cili kishte shpresuar të gjente një kompromis midis partisë së tij Yamina dhe fraksioneve dovish në koalicionin e tij, pësoi humbje në një votim, të cilin e përshkroi si një referendum mbi qeverinë e re.

Votimi do të thotë se ligji është vendosur të skadojë në mesnatën e së martës.

Miratimi i ligjit

Ligji për Shtetësinë dhe hyrjen në Izrael u miratua si një masë e përkohshme në 2003, në kulmin e kryengritjes, kur palestinezët filluan shumë sulme vdekjeprurëse brenda Izraelit.

Sipas legjislacionit, qytetarët arabë, të cilët përbëjnë një të pestën e popullsisë së Izraelit, kanë pasur pak rrugë për të sjellë bashkëshortët nga Ëest Bank dhe Gaza në Izrael.

Kritikët, duke përfshirë shumë ligjvënës të majtë dhe arabë, thonë se kjo është një masë raciste, që synon të kufizojë rritjen e pakicës arabe të Izraelit, ndërsa mbështetësit thonë se kjo është e nevojshme për qëllime të sigurisë dhe për të ruajtur karakterin hebre të Izraelit.

Ligji është rinovuar çdo vit dhe duket se ka mbështetjen e një shumice të madhe në Parlament, e cila mbizotërohet nga partitë e linjës së ashpër nacionaliste.

Partia Likud e ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij vendosën ta kundërshtojnë atë për të dëmtuar koalicionin e Bennett, i cili përfshin një parti të vogël arabe.

“Me gjithë respektin e duhur për këtë ligj, rëndësia e përmbysjes së qeverisë është më e madhe”, tha Netanyahu të hënën.

“Ky nuk është vetëm një ligj. Është një ligj që ekspozon vijën e gabimeve në këtë qeveri, qëllimi i së cilës është të çojë përpara një agjendë antisioniste”.

Bennett propozoi një kompromis me anëtarët liberalë të koalicionit që do të kishte zgjatur ligjin me gjashtë muaj, ndërsa ofronte të drejta qëndrimi për rreth 1 mijë e 600 familje arabe, një pjesë e atyre që preken.

Por masa u rrëzua pjesërisht, sepse dy anëtarë arabë të koalicionit abstenuan. Votimi zbuloi ndarjet e thella dhe brishtësinë e qeverisë së re.

Parashikimet e ligjit

Ligji ka krijuar një sërë vështirësish për mijëra familje palestineze, të cilat shtrihen në kufijtë e tërhequr nga lufta dhe kryesisht të padukshme që ndajnë Izraelin nga Jerusalemi Lindor, West Bank dhe Gaza, territoret që kapi në luftën e 1967-ës që palestinezët duan për një shtet të ardhshëm.

Ligji është rinovuar vazhdimisht edhe pas kryengritjes në 2005. Sot, Izraeli lejon më shumë se 100 mijë punëtorë palestinezë nga West Bank të hyjnë rregullisht.

Bashkëshortët meshkuj mbi moshën 35 vjeç dhe bashkëshortët femra mbi 25 vjeç, si dhe disa raste humanitare, mund të aplikojnë për ekuivalentin e një leje turistike, e cila duhet të rinovohet rregullisht.

Mbajtësit e lejeve të tilla janë të papërshtatshëm për licencat e shoferëve, sigurimet shëndetësore publike dhe format e punësimit. Bashkëshortët palestinezë nga Gaza janë ndaluar plotësisht që kur grupi militant Hamas mori pushtetin atje në 2007.

Ligji nuk zbatohet për gati 500 mijë kolonë hebrenj, që jetojnë në West Bank, të cilët kanë shtetësinë e plotë izraelite. Sipas Ligjit të Kthimit të Izraelit, hebrenjtë që vijnë në Izrael nga kudo në botë kanë të drejtë për nënshtetësi.

Pakica arabe e Izraelit ka lidhje të ngushta familjare me palestinezët në West Bank dhe Rripin e Gazës dhe kryesisht identifikohet me kauzën e tyre. Qytetarët arabë e shohin ligjin si një nga format e ndryshme të diskriminimit, me të cilin përballen në një vend që ligjërisht e përcakton veten si një shtet-komb hebre.

Palestinezët, të cilët nuk janë në gjendje të marrin leje dhe duan të jetojnë me bashkëshortët e tyre brenda Izraelit, janë në rrezik dëbimi. Çiftet që lëvizin në West Bank jetojnë nën okupimin ushtarak izraelit.

Ky artikull është marrë dhe përshtatur nga The Gurdian për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore