Lajme

Izrael: Gjashtë palestinezë arratisen nga burgu i sigurisë së lartë


Foto ilustruese

Gjashtë palestinezë janë arratisur nga një burg izraelit i sigurisë së lartë të hënën e 6 shtatorit.

Këtë e ka zbuluar policia dhe raportet e mediave izraelite. Të arratisurit janë identifikuar si anëtarë të grupeve militante.

Raportet thanë se pesë nga të burgosurit i përkisnin lëvizjes “Xhihadi Islamik” dhe njëri ishte ish-komandant i një grupi të armatosur të lidhur me partinë kryesore “Fatah”.

Të gjashtë ishin shokë qelie dhe u arratisën nga burgu Gilboa në Izraelin verior.

“Brenda natës, ne morëm një numër raportesh për figura të dyshimta në fushat bujqësore dhe nga shërbimi i burgut, të cilat zbuluan shumë shpejt se të burgosurit mungonin nga qelitë e tyre dhe se gjashtë të burgosur u arratisën”, tha zëdhënësi i policisë kombëtare Eli Levy për Radio Kan.

Levy shtoi më tej se forcat e sigurisë janë vënë në kërkim të burrave.

Autoritetet izraelite besojnë që ata mund të përpiqen të arrijnë në Bregun Perëndimor, në territorin e pushtuar nga Izraeli.

Në këtë zonë, autoritetet palestineze kanë një vetëqeverisje të kufizuar.

Raportet e mediave izraelite identifikuan një nga të burgosurit e arratisur si Zakaria Zubeidi, një ish-komandant i Brigadave të Dëshmorëve Al Aqsa të Fatah-ut në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.

Brigadat kryen sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve gjatë një kryengritje palestineze gjatë viteve 2000-2005.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore