Shqipëria

Itali: Shqiptarët e nisin vitin me arratisje nga burgu


Një skenar në limitet e inercisë së filmave është regjistruar gjatë ndërrimit të viteve në burgun e Vercelli-t të Italisë.

Protagonistë kanë qenë dy të burgosur shqiptarë, të cilët janë përpjekur të arratisen me çarçafë nga qelia e tyre.

Mediat italiane zbulojnë se vetëm njëri prej tyre ia doli mbanë të arratisej.

Ai ishte në burg pasi kishte grabitur një vilë.

Rindërtimi i arratisjes pikënis me sharrimin e hekurave të dritares.

Më pas, dy shqiptarët kanë zbritur me çarçafë nga kati i katërt.

Jashtë i prisnin bashkëpunëtorët që kishin kompromentuar portën.

Shoku i qelisë, gjithashtu me origjinë shqiptare, u arrestua.

Ky i fundit, sipas raportimeve, dyshohet se ka thyer krahun teksa zbriste.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA ka kontaktuar me komandantin e policisë së burgut të qytetit piemontez.

Nicandro Silvestri deklaroi se “ka vite që nuk ka survejim të jashtëm sepse muri i burgut është i papërdorshëm”.

Donato Capece, sekretar i përgjithshëm i sindikatës së policisë së burgjeve, e ka konsideruar arratisjen “të paralajmëruar”.

Sindikata, bën me dije sekretari, ka disa kohë që denoncon asgjësimin e sigurisë së brendshme në burgjet italiane.

Sipas Capece-s, heqja e rojeve nga mbikëqyrja e mureve të burgjeve është shkaku kryesor.

Ai doli në përfundimin se arratisja nuk do kishte ndodhur, nëse do ishin dëgjuar ankesat e tyre.

Sekretari rendit mungesën e stafit të policëve të burgjeve apo mungesën e fondeve për shërbimet kundër ndërhyrjes dhe ngjitjes.

“Kjo”, përmbyll Capece, “është pasojë e çmontimit të politikave të sigurisë së burgjeve dhe e mungesës së personelit të policisë penitenciare”.

Kjo e fundit, sipas sekretarit, ka 7 mijë agjentë më pak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore